“Pesë prodhues veturash, Daimler, BMW, VW, Audi dhe Porsche mund të kishin ndihmuar në pastrimin e ajrit më shpejt”, u tha gazetarëve Margrethe Vestager, zyrtarja më e lartë e BE-së për konkurrencën.
“Për më shumë se pesë vjet midis 2009 dhe 2014, kompanitë i kishin premtuar njëra-tjetrës që të mos shkonin përtej asaj që kërkohet nga standardet e emetimit të BE”, theksoi ajo.
“Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten në faktin se prodhuesit e veturave konkurrojnë me njëri-tjetrin edhe kur bëhet fjalë për uljen e emetimeve të dëmshme nga makinat”, shtoi Vestager.
VW-ja duhet të paguajë 502 milionë e 362 mijë euro dhe BMW-ja 372 milionë e 827 mijë euro.
“Të gjitha palët i njohën gabimet dhe ranë dakord t’i zgjidhnin”, potencoi Komisioni Evropian.
Ndërsa kompania “Daimler Mercedes”, edhe pse ishte pjesë e nismës monopolizuese, arriti të shmangë një gjobë prej rreth 727 milionë eurosh pasi zbuloi ekzistencën e skemës.
Duke rikujtuar se VW-së iu desh të paguante gjoba dhe kompensime me vlerë mbi 32 miliardë euro në lidhje me skandalin e emisioneve për veturat me naftë, Margrethe Vestager tërhoqi vëmendjen se me këtë vendim përfundimtar të Komisionit, një epokë e re u hap në bazën ligjore dhe për herë të parë bashkëpunimi teknik u konsiderua si shkelje e rregullave antimonopol./Motilokal.com
