Listës së gjërave smart iu shtohet edhe pëlhura. Po, quhet “inteligjente” pasi mban trupin e freskët edhe në diell e është aleate e shkëlqyer në ditë të nxehta… Sa mirë do të ishte ta kishim! E dimë se jo që tani por në një të ardhme afërt…
Gjithsesi, kjo pëlhurë po konkretizohet falë punës së një grupi shkencëtarësh kinezë të koordinuar nga Guangming Tao i Universitetit Huazhong për Shkencën dhe Teknologjinë në Wuhan të Kinës.
Rezulton më efikase se pambuku, e lehtë, nuk përshkohet nga uji, e qëndrueshme e mund të prodhohet masivisht.
Sekreti i kësaj pëlhure qëndron në përbërjen e saj të veçantë: në fakt, ajo u zhvillua duke kombinuar elemente që reflektojnë dritën e dukshme dhe ultravjollcë (të tilla si Tefloni dhe dyoksidi i titanit, të përdorur në kremrat mbrojtës ndaj diellit) me elementë që lëshojnë nxehtësi (të tilla si fijet prej acidesh polilaktike).
Për të provuar efektivitetin e kësaj “recete”, studiuesit i kërkuan një vullnetari të ulej për një orë në diell, i veshur me një kostum gjysma e të cilit ishte prej pambuku, ndërsa gjysma tjetër ishte bërë me materialin e ri.
Rezultoi se temperatura e trupit nën “pëlhurën inteligjente” luhatej mes 31 apo 32 gradëve ndërsa nën pambukun, 37 gradë.
Në një tjetër eksperiment, shkencëtarët e përdorën “copën smart” për të mbuluar një makinë të ekspozuar në diell për 120 minuta në orët më të nxehta të ditës dhe temperatura nuk shkoi përtej 30 gradëve kundrejt 57 gradëve të regjistruara kur automjeti u mbulua me një tjetër të zakonshme apo edhe 60 gradë teksa u la zbuluar në diell.
Gjithashtu, “pëlhura e mençur” funksionon si një hije dhe lehtëson në kontaktin e drejtpërdrejt me lëkurën.
Studiuesit shpjegojnë se është e mundur të ngjyroset me ngjyra të ndryshme, por e bardha mbetet zgjidhja më e mirë, sepse reflekton më mirë dritën./Motilokal.com
