Regjistrohen 100 tërmete brenda ditës, grekët shtojnë sizmografët dhe presin goditjen e fortë

Regjistrohen 100 tërmete brenda ditës, grekët shtojnë sizmografët dhe presin goditjen e fortë

Që nga orët e hershme të së dielës kur është regjistruar një tërmet prej 4.3 të shkallës Rihter, janë shënuar edhe 100 dridhje me madhësi nga 1.1 deri në 3.3 Rihter.

Tërmetet në fjalë, edhe pse në dukje të vegjël, janë problematikë pasi thyerja ndodh në një thellësi tepër të vogël prej 3 deri në 6 kilometrash duke bërë që lëkundja të ndjehet e fortë në sipërfaqe.

“Fillimisht ndjehet një zhurmë nën tokë dhe më pas lëkundet gjithçka”, shprehen banorët, ndërsa autoritetet i tremben një goditjeje më të fortë, nisur edhe nga shtimi i beftë i tërmeteve në këtë zonë gjatë muajve të fundit.

Sizmologët i tremben një goditjeje me forcë 6 të shkallës Rihter, e cila ka ndodhur edhe më parë në këtë zonë.

Instituti i Sizmologjisë ka shtuar numrin e sizmografëve në zonë pasi epiqendra e tërmeteve duket të jetë vetë qyteti i Thivas, gjë që ka alarmuar autoritet si edhe banorët.

Sipas Akis Tselentis, komuniteti shkencor duhet të sigurohet që kjo veprimtari të mos jetë paralajmëruese e një tërmeti më të madh në një kohë kur zona ka një histori tërmetesh mbi 6 Rihter.

Drejtori i Kërkimeve të Institutit Gjeodinamik, Dr. Gerasimos Chouliaras, këshilloi banorët të jenë të qetë, ndërsa theksoi se "aktiviteti sizmik deri më tani karakterizohet nga tërmete me intensitet të ulët. Ky mund të jetë një fenomen i zakonshëm, i cili do të vazhdojë në periudhën tjetër me një aktivitet të butë sizmik, por gjithashtu mund të jetë një paralajmërues i intensitetit më të madh të tërmetit, për shkak të së kaluarës së rënduar historike të rajonit. Për këtë arsye, Instituti Gjeodinamik do të regjistrojë aktivitetin sizmik në ditët në vijim përmes sizmografëve portabël, në mënyrë që të mbledhë më shumë të dhëna dhe të nxjerrë përfundime të sigurta./Motilokal.com