Miliarderi britanik Richard Branson njoftoi më parë se ai fluturoi në hapësirë sot pas një vonese të shkurtër për shkak të kushteve të motit, në fluturimin e parë turistik të provës të kompanisë së tij Virgin Galactic.
Mjeti hapësinor, ku ndodhej 71-vjeçari dhe pesë anëtarët e ekuipazhit u shkëput nga anija mëmë në një lartësi prej rreth 13 kilometrash, aktivizoi motorin duke arritur më pas buzë hapësirës në lartësinë prej 88 kilometrash. Richard ka për qëllim që vitin e ardhshëm të fillojë fluturimet me pasagjerë me pagesë.
Një fluturim i suksesshëm me Virgin VSS Unity paraqet një moment historik në garën për të filluar një epokë të re të udhëtimeve komerciale private në hapësirë.
“Unë kam qenë gjithmonë një ëndërrimtar. Nëna ime më mësoi të mos dorëzohem kurrë dhe të kërkoj yjet. 11 korriku ishte momenti për ta bërë këtë ëndërr një realitet me fluturimin hapësinor VirginGalactic,” shkroi Branson më herët në profilin e tij në Twitter, dhe sot ai e arriti atë.
Sipërmarrësi 71-vjeçar ka mundur rivalin e tij, Jeff Bezos në garën hapësinore të miliarderëve. Bezos planifikon të udhëtojë në 20 korrik me anijen e tij New Shepard të ndërtuar nga firma Blue Origin. CEO i Tesla-s, Elon Musk gjithashtu ka ambicie për të udhëtuar në hapësirë dhe në Mars./Motilokal.com
