Vala e nxehtësisë vret 500 njerëz e 1 miliardë gjallesa detare në brigjet e Kanadasë

Vala e nxehtësisë vret 500 njerëz e 1 miliardë gjallesa detare në brigjet e Kanadasë

Më shumë se 1 miliard kafshë detare përgjatë bregdetit të Paqësorit të Kanadasë ka të ngjarë të kenë ngordhur nga vala e nxehtë rekord e javës së kaluar, paralajmërojnë ekspertët, duke nënvizuar cenueshmërinë e ekosistemeve të pamësuar nga temperaturat ekstreme.

"Kupola e nxehtësisë" që u vendos mbi Kanadanë perëndimore dhe SHBA-në veri-perëndimore për pesë ditë me temperatura deri në 40 gradë Celsius, duke thyer të gjitha rekordet.

Vapa e fortë besohet të ketë vrarë rreth 500 njerëz në provincën e Kolumbisë Britanike dhe ka kontribuar në përhapjen e qindra zjarreve.

Ekspertët thonë se nxehtësia ka shkaktuar pasoja të tmerrshme në botën e gjallë detare duke lënë skena “post-apokaliptike”.

Biologu detar Christopher Harley i Universitetit të Kolumbisë Britanike thotë se kushtet përvëluese kanë pjekur të gjalla midhjet e llojeve të ndryshme apo yjet e detit që ishin të ekspozuar.

“Kur hidhje hapat toka kërciste nën këmbë nga guaskat e midhjeve. Ato ishin aq shumë sa që nuk mund të shmangie kafshët e ngordhura kur ecje mbi tokë”, tha ai.

Ai shton se midhjet mund të durojnë temperatura të tilla vetëm për disa orë, por më shumë mbijetesa është e pamundur për to.

Në rajonin fqinjë Alberta, një numër gjigant peshqish të ngordhur kishin dalë në breg, me shumë gjasa prej valës së të nxehtit.

Ekspertët shtojnë se efekti domino i humbjes së një mase të tillë të botës detare ndjehet në ekosisteme të tjera dhe sidomos shpendët emigratorë që ushqehen me to para emigrimit në rajonin Arktik./Motilokal.com