11 Korrik - Dita Botërore e Popullsisë

11 Korrik - Dita Botërore e Popullsisë

11 korriku sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon Ditën Botërore të Popullsisë. Sipas kësaj organizate, në çdo sekondë që kalon bota rritet me 2.6 njerëz çka do të thotë se në një ditë popullsia shtohet me 225 000 njerëz në ditë ose afro 83 milionë në vit.

Sipas OKB-së sot janë rreth 7.7 miliard njerëz dhe pritet të rritet në rreth 8.5 miliard në 2030, 9.7 miliard në 2050 dhe 10.9 miliard në vitin 2100.

Kjo rritje dramatike është nxitur kryesisht nga rritja e numrit të njerëzve që mbijetojnë deri në moshën riprodhuese dhe është shoqëruar me ndryshime të mëdha në normat e lindshmërisë, duke rritur urbanizimin dhe duke përshpejtuar migrimin. Këto prirje do të kenë pasoja të gjera për brezat që do të vijnë.

Por krahas këtyre parashikimeve askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë: Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pa masë.

Do të nevojitej edhe të paktën një tokë tjetër për të furnizuar njerëzit. OKB-ja vendosi 11 korrikun si ditën e popullsisë së botës për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm por ekziston vetëm një tokë për të gjithë./Motilokal.com