Emetimet e CO2 (ton) për kokë banori në Kosovë krahasuar me shtetet tjera

Emetimet e CO2 (ton) për kokë banori në Kosovë krahasuar me shtetet tjera

Ndryshimet klimatike paraqesin një nga sfidat kryesore globale të njerëzimit. Hulumtimet shkencore, raportet dhe analizat tregojnë se klima po ndryshon. Emetimet e gazrave serrë si rezultat i aktiviteteve të njeriut, janë një nga shkaktarët kryesorë të këtyre ndryshimeve.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar raportin “Emetimi i Gazrave Serrë në Kosovë 2014-2019”.

Trendi i emisioneve totale të GHG (Gazra Serrë) në Kosovë gjatë periudhës 2014-2019, shënon një trend jo linear. Viti 2014 ka emetimet më të ulëta (8811 Giga gram CO2 eq.), ndërsa viti 2016 me emetimet më të larta (10641 Giga gram CO2). Viti 2019 me 9995 Giga gram CO2 eq., shënon një tendencë të rritjes së emetimeve krahasuar me vitin paraprak 2018 (9852 Giga gram CO2 eq.) Totali i emetimeve te gazrave serrë në Kosovë është e varur shumë nga sasia e energjisë së prodhuar nga thëngjilli që është burimi kryesor i emetimeve të gazrave të serrës në vendin tonë.

Krahasuar me shtetet tjera në Evropë, Kosova ka emetime më të ulëta (5 ton CO2 ekuivalent), për kokë banori se sa mesatarja e Bashkimit Evropian, po ka emetime më të larta se sa disa nga vendet e rajonit. Ndërsa sa i përket emetimeve të CO2 për njësi të BPV (Bruto Prodhimi Vendor), Kosova me 0,5 kg CO2 ka emetime më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe më të larta se sa vendet tjera të regjionit përjashtuar Bosnje dhe Hercegovinën./Motilokal.com