Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka marrë konfirmimin dhe informimin zyrtarë për fillimin e implementimit të projektit “Përmirësimi i Regjistrit të Shkarkimeve dhe të Transferimit të Ndotësve – PRTR”, për Ballkanin Perëndimorë, pjesë e të cilit është edhe Kosova.
AMMK njofton se qëllimi i projektit është ti përgatis vendet e Ballkanit Perëndimorë për ti përmbushur obligimet që dalin në kuadër të Direktivës së BE për Ndotje Industriale, Kërkesave për Raportim Elektronik të Regjistrit të Shkarkimeve dhe të Transferimit të Ndotësve (E-PRTR), si dhe përmbushjes së kërkesave të Protokollit të PRTR.
“Kosova si një nga përfituesit e këtij projekti do të marrë mbështetje për rishikimin e bazës ligjore për PRTR, zhvillimin e sistemit online të raportimit për PRTR, si dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe operatorëve ekonomik për raportim dhe mirëmbajtje të regjistrit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se pjesë e aktiviteteve do të jenë edhe organizatat e shoqërisë civile që do të trajnohen dhe informohet për shfrytëzimin e të dhënave të raportuara në kuadër të Regjistrit të Shkarkimeve dhe të Transferimit të Ndotësve.
Sipas AMMK-së një nga funksionet e regjistrit PRTR është edhe transparenca dhe informimi i publikut lidhur me shkarkimet në mjedis që vijnë nga operatorët e ndryshëm që janë subjekt i Lejeve të Integruara Mjedisore.
“Projekti përkrahet nga Qeveria Gjermane përkatësisht Ministria Federale e Gjermanisë për Mjedis, Konservim të Natyrës dhe Siguri Nukleare. Projekti është dy vjeçar dhe do te zgjas deri në maj te vitit 2023, do të mbikëqyret nga Agjencia Fedarale Gjermane për Mjedis ndërsa do të implementohet nga organizata Participatio Ltd. (Hungary), dhe partneret e saj regjional”, njofton AMMK./Motilokal.com
