Një zonë e paprishur, e pasur me histori dhe kulturë, dhe e karakterizuar nga peizazhe të mrekullueshme natyrore: veçoritë që e bëjnë malin Valamara absolutisht një nga destinacionet për t’u vizituar në Shqipëri.
Valamara është mal me lartësi 2373 metra në kufirin midis Maliqit, Gramshit dhe Pogradecit. Në veri kufizohet me Gurin e Topit.
Ambientalisti Abdulla Diku, ka realizuar disa fotografi dhe një përshkrim për liqenet akullnajore.
Ka forma të shumta të relievit akullnajor dhe një kompleks me 12 liqene akullnajore të vendosura në lartësinë mbi 1800 metra. Në shpatin lindor buron lumi Shkumbin, kurse në atë perëndimor dhe juglindor, Devolli.
Liqenet e Valamarës ndodhen në malin e Valamara, të vendosura në një cirk të madh kompleks akullnajor, në lartësinë rreth 1800 metra mbi nivelin e detit, pranë fshatit Shënepremte të rrethit të Gramshit.
Në të gjithë shpatin lindor të malit gjenden 12 liqene akullnajore, prej të cilëve 6 janë të mëdhenj dhe 6 më të vegjël.
Liqenet përbëjnë një grup prej tre liqenesh akullnajore, me gjatësi dhe gjerësi mesatare 300 metra e 200 m, të veçuara nga njeri tjetri prej depozitimesh morenike.
Liqeni më i madh ka përmasa mesatare 600 metra gjatësi dhe 200 metra gjerësi. Kanë ujë të pastër si kristali dhe të ftohtë. Gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe. Janë të pasura me një botë të gjallë dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve alpine.
Dikur liqenet rrethoheshin nga pyje shekullore të Rrobullit (pinus heldreichii), ndërsa sot vetëm pak nga ato drurë ju kanë mbijetuar prerjeve dhe zjarreve.
Liqenet e Valamarës janë të vetmet e këtij lloji në jug të vendit, të vendosura në një masiv serpentinorë i cili po ashtu edhe është mali më i lartë me përbërje ultrabazike në Gjithë jugun e Shqipërisë.
Liqenet nga ana e tyre kanë vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike), estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.
Që nga viti 2002, liqenet janë shpallur nga qeveria si monumente natyrore dhe gëzojnë statusin e një zone të mbrojtur (kategoria e III).
Vizitohen sipas intinerarit Gramsh – Lenie dhe prej këtej vazhdohet rruga këmbësore drejt qafës së Mushkës për shpatin lindor të malit të Valamarës.
Ashtu si shumica e maleve tona, edhe Valamara përbën një arsye të fortë për t’i ikur vapës së padurueshme të qyteteve tona të betonizuara./Motilokal.com
