86% të gazrave serrë në Kosovë emetohen nga sektori i energjisë

86% të gazrave serrë në Kosovë emetohen nga sektori i energjisë

Ndryshimet klimatike paraqesin një nga sfidat kryesore globale të njerëzimit. Hulumtimet shkencore, raportet dhe analizat tregojnë se klima po ndryshon. Emetimet e gazrave serrë si rezultat i aktiviteteve të njeriut, janë një nga shkaktarët kryesorë të këtyre ndryshimeve.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar raportin “Emetimi i Gazrave Serrë në Kosovë 2014-2019”.

AMMK bën të ditur se në kuadër të monitorimit të emisioneve të gazrave serrë, Kosova deri me tani ka përgatitur inventarin e gazrave të serrës për periudhën kohore 2008-2019. Ky është raporti i dytë i këtij formati. Fillimisht ishte përgatitur raporti për vitet 2008-2013, ndërsa në kuadër të këtij raporti janë përfshirë vitet 2014-2019.

Përgatitja e Raportit për emetimet e gazrave serrë për periudhën kohore 2014-2019 është realizuar nga Grupi Kombëtarë për Inventarin e Gazrave Serë. Ky raport prezanton të dhëna të detajuara të inventarit për vitin 2019 dhe trendi i emetimeve për periudhën kohore 2014-2019.

Ekspertët nga Grupi Kombëtarë për Inventarin e Gazrave Serë kanë mbledhur të dhënat për inventarin dhe i kanë përgatitur ato sipas kërkesave të manualit të IPCC 2006. Po ashtu edhe zgjedhja e metodologjive dhe faktorëve të emisionit është bërë në harmoni me këtë udhëzues.

Burimet kryesore të të dhënave të nevojshme për përgatitjen e inventarit vijnë kryesisht nga institucionet qendrore sikurse janë: Agjencia e Statistikave, Agjencia e Pyjeve, Agjencia Kadastrale, Doganat e Kosovës etj, si dhe nga operatorët e ndryshëm dhe ndërmarrjet publike.

Emetimet vjetore të gazrave serrë në Kosovë për vitin 2019 janë vlerësuar rreth 9613 Gg (Giga gram) ton CO2 eq, (equivalent) ose rreth 9.6 milion ton CO2 eq. Burimi kryesor i emetimeve të gazrave serrë është sektori i energjisë me pjesëmarrje prej 86% të totalit te emetimeve. Sektori i dytë është ai i bujqësisë, pylltarisë dhe përdorimit të tokës me 8%. Sektori i mbeturinave përfaqëson 5% të totalit të emisioneve kurse sektori i proceseve industriale dhe përdorimit të produkteve me rreth 1%.

Gazrat serrë janë gazra të atmosferës së tokës që nuk lejojnë nxehtësinë të largohet nga atmosfera. Këto gazra i lejojnë rrezet e diellit të kalojnë atmosferën, por ndalojnë nxehtësinë që krijohet nga këto rreze të diellit të largohet nga atmosfera. Gazrat serrë kryesore janë:

1. Avulli i ujit

2. Dioksidi i karbonit (CO2)

3. Metani (CH4)

4. Oksidi i Azotit (N₂O)

Gazrat serrë kanë marrë emrin nga funksioni i serrave. Serrat janë hapësira të mbuluara me xhama apo mbulues tjerë. Kësi lloje hapësirash mund të gjeni gjithandej, në oborre dhe fusha të ndryshme bujqësore. Drita e diellit që hyn brenda në serrë ndihmon në kultivimin e një numri produktesh bujqësore, mirëpo ajo nuk mund të largohet nga serra, për shkak të xhamave apo mbulesave tjera të vendosura.

Këtë e bëjnë edhe gazrat serrë, vetëm se tani jo në bahçet tona, por në të gjithë planetin e tokës. Ato lejojnë të depërtojë drita e diellit në atmosferë, ndërsa parandalojnë nxehtësinë që vije nga dielli të dalë nga shtresa e atmosferës. Në përgjithësi, gazrat serrë janë më se të nevojshme. Pa to planeti ynë do të ishte shumë i ftoftë, dhe jeta siç e njohim sot nuk do të ekzistonte. Mirëpo, gjithçka që teprohet nuk është e mirë, ashtu ndodhë edhe me gazrat serrë. Shkencëtarët janë shumë të shqetësuar rreth aktiviteteve të njerëzve që janë duke ndikuar në shtimin e gazrave serrë në atmosferë.

Kategoritë kyçe të emetimeve të gazrave të serrës sipas IPCC janë: industria e energjisë, transporti rrugor, industria prodhuese dhe ndërtimit, fermentimi enterik, deponimi i mbeturinave të ngurta, prodhimi i çimentos, ujërat urbane, emetimet e drejtpërdrejta nga menaxhimi i tokës, menaxhimi i plehut etj.

Sektori i Energjisë, përfshin rreth 86% të emetimit të përgjithshëm të gazeve serrë në Kosovë ose 8659 Gg CO2 eq.. Emisionet e gazrave serrë për këtë sektorë janë kalkuluar sipas metodologjisë IPCC dhe CRP, duke zbatuar faktorët e emisionit relevant sipas TIER 1.

Ky sektor i takon kategorisë së parë sipas IPCC dhe përbëhet nga tre nën-sektorë (kategori) tjerë. Nën sektori i parë 1.A përfshinë emetimin nga aktivitetet nga konsumi i lëndëve djegëse (karburanteve), 1.B përfshinë emetimet që vijnë nga eksplorimi, shfrytëzimi, dhe shpërndarja e lëndëve djegëse si dhe nën-sektori 1.C që përfshinë emetimet nga ruajtja dhe transporti i Dyoksidit te Karbonit. Burimet kryesore te emetimit te CO2 ne sektorin e energjisë vijnë nga nën-sektori i pare 1.A, Aktivitetet nga djegia e karburanteve. Këtu bëjnë pjesë kryesisht emetimet nga përdorimi i lëndëve djegëse për prodhimin e energjisë elektrike, ngrohtoret, transporti rrugor dhe industritë prodhuese.

Nga ky nën sektor vijnë 8624 CO2 eq., apo 99,95 % e totalit ku dominonë sektori i industrisë së energjisë me 73% të emetimeve totale të sektorit të energjisë apo 6316 Gg CO2 eq., i pasur nga transporti me 15% të emetimeve (1337 Gg CO2 eq.), industria e prodhimit dhe ndërtimit me 7% (561 CO2 Gg eq.) të emetimeve dhe sektorët tjerë të energjisë me 5% (410 CO2 Gg eq.).

Nën-sektori i Energjisë 1.B. që përfshinë emetimet nga eksplorimi, shfrytëzimi, dhe shpërndarja e lëndëve djegëse nuk është një burim i rëndësishëm i shkarkimeve të gazrave serë në Kosovë me 35 CO2 eq., apo 0,5 %, me emetimet që vijnë nga minierat e braktisura (të vogla) dhe minierave të hapura sipërfaqësore (linjiti).

Nën sektori 1.C Ruajtja dhe transporti i Dyoksidit te Karbonit nuk është relevante për Kosovën. Sa i përket gazrave të emetuara nga sektori i energjisë dominon CO2 me 99.95 %, ndërsa metani ka pjesëmarrje me vetëm 0.5%./Motilokal.com