Zjarr në malin e Tomorit/ Meta: Indiferentizmi në mosreagim operacional, shpërdorim detyre me përgjegjësi ligjore

Zjarr në malin e Tomorit/ Meta: Indiferentizmi në mosreagim operacional, shpërdorim detyre me përgjegjësi ligjore

Që prej orëve të para të mëngjesit po digjet kurora me pisha e Malit të Tomorit, i shpallur Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarrfikësja nuk mund të ndërhyjë dhe kjo ka bërë që zjarri të marrë përmasa të mëdha duke djegur një sipërfaqe të madhe të malit të Tomorit.

Terreni shkëmbor ka bërë që zjarrfikësja të kërkojë ndihmë nga ajri me helikopter. Nëse nuk ndërhyhet sa më shpejt rrezikohet që i gjithë mali i Tomorit të shkrumbohet.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e zjarrit në malin e Tomorit, ku që orëve të para të mëngjesit po digjet kurora me pisha, e shpallur Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur.

“Jam duke ndjekur me shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrës së zjarrit në malin e Tomorit, që po dëmton seriozisht Parkun Kombëtar, një pasuri e jashtëzakonshme publike”, theksoi Meta.

“U bëj thirrje autoriteteve vendore dhe qendrore të mos qëndrojnë indiferentë dhe as të humbasin më kohë, në marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar zjarrin dhe minimizimin e pasojave”, u shpreh Meta.

“Në mënyrë të veçantë nxis Agjencinë Kombëtare te Mbrojtjes Civile, që është vënë në dijeni të situatës, për angazhimin pa vonesë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes për operacione nga ajri, si e vetmja formë efikase operacionale për fikjen e zjarrit në malin e Tomorit, për shkak të terrenit të vështirë për ndërhyrje nga toka”, tha Meta”.

“Është e pajustifikueshme për strukturat e Shërbimit Zjarrfikës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, që prej shumë orësh, sipas raportimeve nga terreni, nuk kanë angazhuar mjetet dhe efektivët për shuarjen e zjarrit masiv, një krim i rëndë mjedisor”, shtoi Meta.

“Nisur nga ky rast, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe natyrës, Parqeve Kombëtare dhe Zonave të Mbrojtura, si dhe domosdoshmërinë e eliminimit të çdo rreziku për jetën dhe pronën, u bëj thirrje të gjitha strukturave përgjegjëse, të marrin të gjitha masat për të neutralizuar në kohë çdo vatër zjarri, në të gjithë territorin e vendit, që do të dëmtonte seriozisht pasurinë kombëtare dhe atë private”, theksoi Meta./Motilokal.com