Volkswagen tërësisht elektrike në Europë

Volkswagen tërësisht elektrike në Europë

Volkswagen ka njoftuar se planifikon të ndalojë prodhimin e veturave me motor me djegie në Europë deri në vitet 2033 dhe 2035 për të kaluar në vetura elektrike, duke lënë më shumë kohë në tregjet e tjera, përfshirë Kinën, theksoi një nga zyrtarët e saj.

Prodhuesit e veturave në të gjithë botën kanë filluar të përcaktojnë afatet për të hequr gradualisht motorët me djegie përballë standardeve gjithnjë e më të rrepta kundër ndotjes të vendosura për të luftuar ndryshimin e klimës.

Klaus Zellmer, anëtar i bordit për shitje dhe marketing në markën e veturave Volkswagen, i tha gazetës bavareze Muenchner Merkur se "ne do ta bëjmë të gjithë flotën tonë CO2 neutrale deri në vitin 2050 më së largu".

"Në Europë, ne do të dalim nga tregu i automjeteve me motor me djegie midis 2033 dhe 2035", tha Zellmer.

Ai shtoi se ndryshimi do të ndodhë "pak më vonë në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë. Në Amerikën e Jugut dhe Afrikën, për shkak të mungesës së kushteve të kornizës politike dhe infrastrukturës, do të zgjasë pak më shumë."

Marka kryesore e Volkswagen kishte thënë tashmë në fillim të vitit se synonte që automjetet elektrike të përbënin 70 për qind të shitjeve të saj europiane deri në vitin 2030.

Zellmer tha se "si një prodhues i tregut masiv, VW duhet t'i përshtatet shpejtësive të ndryshme të transformimit në rajone të ndryshme".

"Konkurrentët tanë që shesin automjete kryesisht në Europë, për shembull, me siguri do të duhet të përballen me një transformim shumë më pak kompleks."

Audi, një filial i Volkswagen, njoftoi javën e kaluar se do të nis vetëm automjete plotësisht elektrike nga viti 2026 dhe do të ndalojë prodhimin e veturave me motor me djegie të brendshme deri në 2033.

Volvo i Suedisë ka thënë se planifikon të shesë vetëm modele elektrike nga viti 2030.

Bashkimi Europian do të zbulojë objektivat më të ashpra të emetimeve të CO2 deri në vitin 2030 dhe propozimet rregullatore më 14 korrik, të cilat pritet të detyrojnë prodhuesit e veturave të shpejtojnë kalimin në ato elektrike./Motilokal.com