I nxehti afrikan godet Shqipërinë, Urgjenca Kombëtare: Evitoni ekspozimin në diell nga ora 11:00 – 17:00

I nxehti afrikan godet Shqipërinë, Urgjenca Kombëtare: Evitoni ekspozimin në diell nga ora 11:00 – 17:00

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të tregohen të kujdesshëm në këto ditë që temperaturat kanë pësuar rritje.

Sipas postimit duhet të evitohet ekspozimi në diell nga ora 11:00 – 17:00, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.

Gjithashtu  rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët, ndërsa për çdo urgjencë që mund të ndodhë mund të telefonohet në numrin 127.

Postimi i plotë:

Ndihma e parë: Goditja nga i nxehti.

Parandalimi i dëmtimeve nga i nxehti:

Evitoni ekspozimin në diell nga ora 11:00 – 17:00, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.

Ambienti të jetë i freskët dhe ajrosur mirë. Të vendosen perde të errëta në dritare që janë të ekspozuara ndaj rrezatimit të diellit.

Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë.

Konsumoni vakte ushqimore të shpeshta dhe në sasi të vogël. Të ftohta dhe me përbërës ushqimorë të tretshëm.

Vishuni me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje.

Për personat që përdorin terapi mbajtëse të mos e ndërpresin ose ndryshojnë pa u konsultuar me mjekun.

Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.

Për çdo Urgjencë Mjekësore telefononi në numrin pa pagesë 127./Motilokal.com