Lumenjtë janë habitate shumë të rëndësishme të shumë llojeve bimore dhe shtazore, që jetojnë në to ose përreth tyre. Rëndësi vitale kanë edhe për jetën e njeriut.
Lumenjtë paraqesin njërin nga burimet kryesore të ujit të pijes, gjithashtu sigurojnë ujë dhe lëndë ushqyese të bujqësisë, sigurojnë rekreacion dhe zhvillimin e ekoturizmit, sigurojnë energji si dhe mundësi të madhe ekonomike.
Gjendja e lumenjve në Kosovë po vazhdon të jetë mjaftë shqetësuese në tërë territorin e vendit. Pothuajse të gjithë shtretërit e lumenjve në Kosovë janë të pushtuar nga mbeturinat. Vërtetë gjendja e tyre është alarmante teksa të dy anët lumenjve janë të “dekoruar” me mbeturina.
Hiq më mirë nuk është as Drini i Bardhë që përshkon zonat kufitare të Vërmicës, Shkozës, Dobrusht, Nashec dhe Gjonaj.
Në disa fotografi të realizuara nga Federata e Peshkatarëve të Kosovës shihen pamje të tmerrshme të Drinit të mbuluar nga bërllogu.
Siç njofton kryetari i peshkatarëve nga të gjitha pikat e mbeturinave dhe kanalet ku dyshohet derdhja e kemikaleve është helmuar bota ujore siç janë peshqit.
Kryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës ka kritikuar të gjitha institucionet shtetërore për mos mbështetjen e peshkatarëve sportist, për pastrimin e mbeturinave në Drinin e Bardhë nga burimi gjer në Liqenin e Fierzës.
E këto pamje të tmerrshme që po i shohim, shkaktar kryesor i krejt kësaj të hedhjes së mbeturinave në lumenjtë, tokat, pyjet, qytetet tona është faktori njeri, është pandërgjegjshmëria njerëzore./Motilokal.com
