Thethi gjendet në mes të Alpeve Shqiptare me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, 70 kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 metra mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 metra mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Një bukuri natyrore të veçantë të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 metra, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojes, krijojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.
Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit te Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 metra kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.
Tashmë kanë nisur përgatitjet për fillimin e sezonit turistik veror në Theth.
Në vijim të masave përgatitore për çeljen e sezonit turistik prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, bashkë me drejtuesen e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor Xheni Halili, panë nga afër kushtet në ambulancën e Thethit, e cila që pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit të pjesshëm.
Prefektja Angoni tha se “ambulanca është e pajisur me të gjithë medikamentet dhe pajisjet mjekësore, për të ofruar një shërbim mjekësor sa më cilësor këtë sezon”.
Po ashtu prefektja Angoni zhvilloi një takim me disa subjekte turistike në Theth, ku u informua mbi parapërgatitjet për sezonin veror, në respektim të protokolleve kundër COVID-19, ndërkohë që vijon procesi i vaksinimit për operatorët turistikë.
Qendra e Vizitorëve Theth do të jetë e hapur për turistët duke nisur nga data 15 qershor, në gatishmëri të plotë për një verë të jashtëzakonshme në Alpe.
“Çdo ditë në punë për një sezon turistik të sigurt”, shtoi Angoni.
Ky vend piktoresk vizitohet pothuajse çdo ditë nga turiste vendas e të huaj. Thethi mund të quhet - Turizëm në çdo stinë./Motilokal.com
