Një gropë gjigante, me diametër 91 metra dhe 18 metra e thellë, u hap krejt papritur në mes të një fushe në Meksikë, duke tmerruar të gjithë njerëzit që ishin aty pranë.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën e kaluar në Santa Maria Zacatepec dhe u kap në kamera nga banorë të zonës. Në pamje duket momenti kur toka shkëputet duke bërë që gropa të zgjerohet dhe thellohet në pak sekonda.
Autoritetet lokale thonë se shkaku është një reaksion gjeologjik. Fatmirësisht nuk pati viktima apo të lënduar, ndërsa specialistët po hetojnë për të hedhur dritë mbi shkaqet e këtij fenomeni.
Guvernatori i shtetit, Miguel Barbosa Huerta, në një konferencë shtypi tha se familja që jeton afër gropës është evakuuar. Askush nuk është lënduar deri më tani, por guvernatori paralajmëroi banorët lokalë që të qëndrojnë larg zonës.
Gropa kishte një diametër pesë metra kur u shfaq për herë të parë dhe u rrit shpejt për vetëm disa orë, sipas Beatriz Manrique, sekretarit të mjedisit për rajonin e Meksikës. “Ne mendojmë se mund të jetë një kombinim i dy faktorëve: zbutja e fushës, e gjithë zona ishte duke u kultivuar, si dhe nxjerrja e ujërave nëntokësore, e cila zbut nëntokën”, tha Manrique.
Zyrtarët nga organet publike duke përfshirë komisionin kombëtar të ujit tani do të kryejnë një hetim për atë që ka ndodhur. Ky proces përfshin studime të tokës, dhe mund të zgjasë deri në 30 ditë.
Këto fenomene ndodhin kur toka nuk mund të mbështesë më sipërfaqen e tokës mbi të, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Kjo mund të ndodhë për një numër arsyesh, duke përfshirë erozionin e shkëmbit nën sipërfaqen e tokës ndërsa ujërat nëntokësore kalojnë nëpër të, duke lënë një boshllëk në të cilin sipërfaqja shembet./Motilokal.com
