Gjermania ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme limitet e Bashkimit Evropian (BE) mbi ndotjen e ajrit, sipas gjykatës më të lartë të BE-së, në një vendim që mund të sjellë penalitete financiare për vendin, nëse dështon të përmirësojë cilësinë e ajrit për qytetet e mëdha.
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian theksoi se Gjermania nuk ka marrë masat e duhura për të kufizuar sasinë e dioksidit të azotit (NO2) që shkakton ndotjen e ajrit dhe se ajo ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin e Unionit.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë, gjykata më e lartë e BE-së me seli në Luksemburg, ka gjykuar çështjen e Komisionit Evropian kundër Gjermanisë mbi ndotjen e ajrit.
Duke theksuar se Gjermania ka shkelur rregullat e BE-së të cilësisë së ajrit, në vendim theksohet: "Gjermania ka tejkaluar vazhdimisht dhe sistematikisht kufijtë e dioksidit të azotit (NO2) midis vitit 2010 dhe 2016".
Gjykata po ashtu vendosi se Gjermania ka shkelur detyrimin e saj për të marrë masat e duhura në kohën e duhur për të ulur pragjet në 26 rajone, duke përfshirë qytete më të mëdha si Berlini, Mynihu dhe Hamburgu.
Megjithatë, që prej vitit 2016, shumica e rajoneve në fjalë kanë ndaluar ndotjen e dioksidit të azotit për t’u përshtatur me rregullat, mbështetur nga zhvendosja tek veturat më pak ndotëse dhe masa lokale si ndalimi i veturave, limitet e shpejtësisë dhe autobusët me emetime të ulëta.
Komisioni i BE-së filloi këtë procedurë në vitin 2018 me shpjegimin se Gjermania ka tejkaluar vlerat e ndotjes së ajrit, ndërsa sipas legjislacionit të BE-së, sasia mesatare e dioksidit të azotit në ajër nuk duhet të tejkalojë 40 mikrogramë për metër kub.
Transporti në rrugë është burimi kryesor i emetimit të dioksidit të azotit, çka nënkupton se zonat urbane janë më të goditurat./Motilokal.com
