Ka nisur të gjallërohet me shpejtësi turizmi në Shqipëri, pas humbjeve që shënoi nga pandemia. Sipas të dhënave të INSTAT rreth 466.283 persona kanë hyrë gjatë muajit prill në territorin shqiptar, ndër to 241 mijë shtetas të huaj.
Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rritje të ndjeshme në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, kur sapo kishte nisur pandemia, 18.5 herë më shumë.
Gjatë katër mujorit të parë të 2021, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është 754.796 persona, duke u rritur me 1.3 herë më shumë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Duke analizuar vendin e origjinës së shtetasve të hyrë në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 2.1 herë më shumë dhe Zvicra me 2 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 4.4 herë më pak dhe Anglia me 60.1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Arsyeja kryesore e vizitave të të huajve në Shqipëri është ajo personale, e pasuar nga pushimet dhe biznesi.
Edhe lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit kanë shënuar rritje gjatë prillit, 12.7 herë më shumë se në të njëjtin muaj të 2020-s.
Nga rreth 450 mijë shtetas që sipas INSTAT kanë dalë jashtë Shqipërisë në prill, më shumë se 230 mijë kanë qenë shqiptarë.

Megjithatë krahasuar me katër mujorin e parë të 2020-s numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë është më i vogël.
Si ata që lenë vendin, ashtu dhe ata që vijnë kanë preferuar të udhëtojnë kryesisht në rrugë tokësore dhe shumë më pak detare.
Numri i turistëve nga Kosova është rritur ndjeshëm që pas pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 4 mujorin, pesha e turistëve nga Kosova është rritur në 51 për qind të totalit, nga 29 për qind që ishte në janar-prill të vitit 2019, përpara fillimit të pandemisë. Numri i turistëve nga Kosova është i lartë në çdo fundjavë, duke shpëtuar hotelet që dikur në këtë periudhë prisnin turistët nga Polonia, vendet nordike etj/Motilokal.com
