Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca mbështet iniciativën për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.
Përmes një postimi në Twitter, ai pohoi se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për këtë çështje.
“Ne mbështesim iniciativën për krijimin e Parkut Kombëtar Vjosa. Bashkimi Evropian vazhdon ta ndjekë këtë çështje nga afër së bashku me Ambasadat e BE-së, në konsultim me autoritetet e Shqipërisë. Është thelbësore që zëri i komuniteteve lokale dhe ekspertëve të mjedisit të dëgjohet”, ka shkruar Soreca.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ishte dje në brigjet e lumit Vjosa në Përmet, ku së bashku me Ambasadoren e Greqisë, Sophia Philippidou, Kryetaren e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha dhe përfaqësues nga OJQ-të e mjedisit nga Shqipëria dhe Greqia diskutuan mbi rëndësinë e ruajtjes së lumit Vjosa, një nga lumenjtë e egër të fundit në Evropë.
Aktivistët si brenda dhe jashtë vendit, si dhe njerëz të famshëm si Leonardo di Caprio kanë folur në mbështetje të lumit që u kthye në një Park Kombëtar, duke e mbrojtur atë nga zhvillimet shkatërruese dhe shfrytëzuese./Motilokal.com
