Alergjia, a është vetëm e pranverës?!

Alergjia, a është vetëm e pranverës?!

Lotimi, kruarja dhe skuqja e syve, lodhja, teshtitje, irritomi i lëkurës dhe pamundësia për t’u mbushur me frymë, janë vetë disa nga simptomat e alergjisë.

Me ndërrimin e stinëve, luhatja e shpeshtë e temperaturave, ndryshimet klimatike, pluhuri në ambiente të jashtme dhe të brendshme si dhe polenet nxisin akoma më shumë alergjitë dhe problemet në rrugët e frymëmarrjes.

Mjekët vazhdimisht apelojnë tek personat që janë alergjikë të tregohen të kujdesshëm sidomos në stinën e pranverës dhe të zbatojnë këshillat e rekomanduara nga ta. Kujdes i veçantë duhet treguar me fëmijët dhe të moshuarit e të sëmurët kronikë.

Për të folur më shumë rreth alergjisë Motilokal.com zhvilloi një bisedë me alergologen Dr. Ornela Marko.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Ornela, cilat janë shenjat dhe shkaktarët e alergjisë?

Alergjia është një përgjigje e shprehur e sistemit imunitar ndaj substancave të huaja të quajtura alergen. Në varësi të shkaktarit alergjizues dhe të sistemeve të prekura, shenjat janë të shumta. Ankesat më të shpeshta të pacientëve me problemealergjike janë: skuqja e lotimi i syve, enjtja e tyre, rrufa, teshtima dhe bllokimi i hundëve, ndjenja e kruarjes së fytit, kolla, vështirësia në frymëmarrje, ndjenja e rëndimit e fishkëllimat në gjoks, skuqja dhe kruarja e lëkurës, pulla apo puçrra në lëkurë etj. Këto janë shenja të cilat i njohin një pjesë e mirë e njerëzve, por ka të tjera si: dhimbja e barkut, diarreja, vështirësia në gëlltitje, etj, të cilat mund të ngatërrohen me sëmundje të ndryshme të organeve të prekura. Duhet një anamnezë e hollësishme nga mjeku specialist për të kuptuar nëse është një ankesë alergjike dhënëse se kush është shkaktari, pasi ata janë të shumtë dhe të kudo ndodhur. Janë në ajër dhe jo vetëm, janë në ambientin e jashtëm dhe në atë të brendshëm. Mund të jenë të pranishëm dhe në vendin e punës apo në ushqimet që ne konsumojmë.

Si shkaktarë të alergjisë mund të përmendim: akarienet apo pluhurat e shtëpisë, myqet, polenet, kafshët shtëpiake, furrtaret, lateksi, ushqimet, substanca të ndryshme kimike, medikamentet, insektet etj.

Sa lloje të alergjive ekzistojnë, pasi që shpeshherë i lidhim ato me ardhjen e stinës së pranverës?

Fakti që ne shpesh herë e lidhim alergjinë me stinën e pranverës ka të bëjë me rifillimin e ankesave apo përkeqësimin e gjendjes së personit alergjik meqenëse në ajër ka një numër më të madh alergenësh dhe kontakt më të zgjatur me to. Për më tepër ankesat respiratore të nxitura nga alergenët e ajrit prishin cilësinë e jetesës, prandaj janë dhe më të ndjeshme nga njerëzit. Në varësi të alergenit, përgjigja e organizmit mund të jetë e shpejtë ose e vonë, nga disa minuta deri në disa ditë e javë pas kontaktit me alergenin dhe mund të jetë sezonale, gjatë gjithë vitit apo sa herë që individi bie në kontakt me alergenin nga i cili është alergjik.

Nëse flasim në lidhje me organin apo sistemin e prekur nga alergjia, atëherë mund të themi që kemi alergji të rrugëve respiratore, alergji të syve, alergji të lëkurës, alergji gastro-intestinale etj.

Sa rëndësi i kushtojnë trajtimit individët që diagnostikohen me alergji?

Me thënë të drejtën i kushtojnë pak rëndësi. Paraqiten te mjeku specialist vetëm kur janë në gjendje të rënduar apo kur shfaqet një alergji jetë-kërcënuese. Mjaftohen me një medikament që marrin në farmaci. Duhet ta kuptojnë që në alergji ka rëndësi parandalimi dhe më pas trajtimi. Prandaj duhet të bëhen testet e alergjisë, për të gjetur shkaktarin dhe për të personalizuar terapinë sipas rastit.

Dr. Ornela, a mund t’na tregoni se cilat grupmosha janë më të rrezikuara nga alergjitë?

Alergjia mund të shfaqet në çdo moment të jetës, por personat më të rrezikuar janë adultët e rinj, grupmosha 20 apo 30 vjeç.

Studimet e fundit tregojnë se ndryshimet klimatike kanë bërë që sezoni i alergjive të  fillojë më herët. Si ndikon faktori klimë në shfaqjen e alergjive?

Po, është e vërtetë që sezoni i alergjive fillon më herët aktualisht dhe sigurisht që në këtë fakt ndikojnë ndjeshëm ndryshimet klimaterike si pasojë e ngrohjes globale, kryesisht nga aktiviteti njerëzor. Është zgjatur periudha e ngrohtë e vitit, duke bërë të mundur jo vetëm fillimin më të hershëm të polenizimit por edhe zgjatjen në kohë të tij. Për rrjedhojë ka një numër më të madh polenesh në qarkullim, duke bërë të mundur përkeqësimin e simtomave alergjike. Për sa i përket përhapjes së mykut dhe sporeve të tij, mund të themi se edhe qarkullimi i tyre në ajër është rritur si pasojë e përmbytjeve dhe stuhive me shi që kanë qenë më të shumta në numër dhe më të shpeshta. Mund të duket çudi, por dhe shtrëngatat gjatë sezonit të polenizimit ndikojnë duke përkeqësuar simptomat e alergjive respiratore si riniti apo astma bronkiale.

Si ndikojnë temperaturat e larta dhe rrezet e diellit në acarimin e alergjive?

Sigurisht që i përkeqësojnë si sëmundjet respiratore ashtu dhe ato të lëkurës. Ajo që dua të përmend është se të dy faktorët e mësipërm ndikojnë më së shumti në alergjitë e lëkurës. Alergjia nga dielli, e cila shfaqet me skuqje të lëkurës, elementë urtikarialë dhe me prurit apo të kruara të lëkurës në persona që ekspozohen ndaj rrezatimit ultraviolet apo ndaj valëve me gjatësi specifike, për të cilat syri është i ndjeshëm. Personat më të rrezikuar për këtë alergji janë ata që kanë dermatit, atopi në familje, që kanë kontakt me substanca kimike apo që përdorin disa medikamente specifike. Ndërsa temperaturat e larta bëjnë të mundur shfaqjen e urtikaries fizike, e cila largohet jo vetëm duke përdorur terapinë e dhënë nga mjeku specialist, por dhe duke u mbrojtur nga nxehtësia.

Ç’lidhje kanë alergjitë me ndotjen e ajrit?

Ndotja e ajrit dhe për më tepër ndotja e mjedisit, kanë ndikuar ndjeshëm në shëndetin tonë. Sigurisht që kanë ndikuar edhe në sëmundjet alergjike duke përkeqësuar rinitin alergjik dhe duke nxitur kriza astme, edhe tek personat që janë stabilizuar nga terapia korrekte që kanë bërë. Në bashkëpunim me materialin gjenetik që ne kemi, ndotja, bën të mundur fenotipizimin e sëmundjeve alergjike respiratore. Ky fakt ka rëndësi në mënyrën e trajtimit të personave alergjik.

Sot, djegia e qindra hektarëve pyje që digjen çdo vit, emeton miliona ton gaz CO2, i cili luan rol në formimin e efektit serë. Gjithashtu, ndikimi i ozonit në funksionin e sistemit respirator është mjaft i njohur.

A ka ndikuar COVID-19 te personat që vuajnë nga alergjitë?

COVID-19 ka ndikuar te personat që vuajnë nga alergjia në të njëjtën mënyrë si dhe te të gjithë peronat jo alergjikë që kanë kaluar këtë sëmundje. Studime kanë treguar se mjekimi i astmës, ka mbrojtur funksionin e mushkërisë gjatë sëmundjes.

Ballafaqimi me pandeminë COVID-19 ka futur në përdorim bartjen e maskës. A mendoni që ajo është një mjet mbrojtës për persona që vuajnë nga alergjitë e stinës?

Sigurisht që po. Sikurse e thashë më lart, mjekimi më i mirë në sëmundjet alergjike është parandalimi i tyre. Përdorimi i maskës është një mjet parandalues, pengon depërtimin e alergeneve në rrugët respiratore, duke bërë të mundur mos shfaqjen e ankesave alergjike dhe duke ruajtur cilësinë e jetesës.

Dr. Ornela, a është e këshilluar vaksina kundër COVID-19 për personat alergjikë?

Vaksinën e COVID-19 nuk duhet ta bëjnë personat qe janë alergjikë ndaj substancave joaktive që ka vaksina dhe nëse ka patur reaksion alergjik nga doza e parë e saj. Sigurisht dhe personat që kanë shfaqur reaksion alergjik nga vaksinat e mëparshme të kalendarit të vaksinimit të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Personat e tjerë, çfarëdo alergjie të kenë, do e bëjnë vaksinën nën mbikëqyrjen e personelit shëndetësor të specializuar për këtë fushatë vaksinimi anti-COVID.

Çfarë masash duhet të ndërmarrin pacientët që vuajnë nga alergjia?

Sigurisht që personat që e dinë nga se janë alergjikë, kanë marrë informacionin e duhur nga vizita që kanë bërë te mjeku. Të tjerët që kanë simptoma të padiagnostikuara ose që u shfaqen përherë të parë, duhet të kontaktojnë mjekun, për të marrë udhëzimet dhe mjekimin e duhur. Terapia përshtatet për çdo pacient, sipas karakteristikave që ka sëmundja e tij./Motilokal.com