Mund të jemi në fund të pandemisë, por nuk kemi dalë ende nga pandemia. Ky është një fakt që sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi duhet mbajtur parasysh kur mendojmë për sezonin turistik këtë vit.
Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ”, Klosi tha që edhe pse jemi në fund të majit, nuk kemi ende një politikë të qartë të kufijve nga ana e bashkimit evropian. Dhe, kjo sipas tij, do të ndikojë në turizmin e huaj në vendin tonë.
Ai tha: “këtë vit presim më pak turistë se në 2019, por më shumë se në 2020, pasi objektivi ynë është që deri në 2030 Shqipëria të bëhet kampione e turizmit”.
“Duke mos pasur një politikë të qartë tani se çfarë do të ndodhë në verë po bën që shumë nga rezervimet e turizmit të organizuar, çarterat, udhëtimet nga vendet europiane të jenë problem, por ky problem nuk është vetëm në Shqipëri”, tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “vendet si Shqipëria kanë një gomë shpëtimi që është turizmi i brendshëm, ai rajonal. Ne jemi në diskutim të vazhdueshëm me grupin e ekspertëve të Komitetit Teknik për të lehtësuar masat”.
Lidhur me prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare Klosi tha se “kërkohet menaxhimi si duhet i vijës bregdetare, rëra është një pasuri e madhe kombëtare prandaj kërkohet vëmendje e shtuar, që për ato hotele apo plazhe të menaxhuara, ata që i uzurpojnë, shteti do të veprojë me shumë forcë”.
Ai bëri të ditur se ka filluar aplikimi te e-Albania për menaxhimin e plazheve./Motilokal.com
