Në prag të sezonit turistik, ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi vë theksin tek turizmi detar, për të cilin thotë se në Shqipëri mungon.
Në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave, Klosi u shpreh se deti dhe hapësira ujore duhet të shërbejnë për të ngritur këtë ekonomi të re.
Investimet e rëndësishme, tha Klosi, dëshmojnë se Shqipëria në harkun e maksimumit të 5 viteve do të jetë një aktor ambicioz në botën e turizmit detar.
“Tani ka ardhur tamam koha që edhe deti edhe ujërat shqiptarë të jenë pjesë e një politike shkencore, studimore për një planifikim të qenësishëm hapësinor edhe në detet shqiptare. Për ministrinë e Mjedisit është tashmë një punë e filluar duke u bazuar në disa projekte që ne kemi realizuar për të patur mundësinë që duke bërë hapat e parë të krijojmë shumë shpejt begraund por edhe evidentimin e problematikave që ka vendi ynë. Në këtë konferencë, të nderuar, Ministria e Mjedisit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të paraqesë disa gjetje të një materiali studimor që ekspertët pranë institucionit tonë, por dhe ekspertët e botës akademike kanë realizuar në Gjirin e Patokut duke bërë matje evidentim dhe duke kuptuar për sa shumë kemi nevojë për një planifikim hapësinor të vijës bregdetare. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të kuptohet qartë se zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomive që kanë të bëjnë edhe me turizmit detar do të duhet që po ashtu të kenë mekanizma të forta të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit, të kësaj pasurie të madhe ujore që ne kemi”, deklaroi ministri Klosi.
Ai u shpreh se deti Adriatik shënon një nga kufijtë më interesant në botën e integrimit europian pasi është një hapësirë e cila ndahet në pothuajse në mënyrë të barabartë në shtetet evropiane klasike, si Italia, apo evropiane të rinj si Kroacia, Sllovenia, në vende kandidate si Mali i Zi, apo Shqipëria. Pra duke bërë një hapësirë e cila e ka të vështirë të kuptohet se ku fillon dhe ku mbaron hapësira Evropiane, e cila është një e tërë.
“Për të lehtësuar ngritjen e infrastrukturës apo bazës për të krijua një flote të jahteve, por edhe investimet në bregdet dëshmon se Shqipëria në harkun e maksimumit të 5 viteve do të jetë një aktor ambicioz në botën e turizmit detar dhe në bashkëpunimin që vjen nga ky turizëm. Ne duam që të jemi kampion të turizmit në Ballkan dhe deti është një nga asetet tona më të rëndësishme”, tha ai.
“E mbështes idenë e kësaj konference pasi këto zhvillime në industrinë e turizmit detar duhet të shoqërohen edhe me studime shkencore për efektet që do të sjellin në ekosistemin e ujërave shqiptarë, por edhe në raportin që kanë këto biznese me natyrën. Ne si ministri jemi përpjekur të kërkojmë mbështetje nga institucionet evropiane, pasi kjo industri që do fillojë të ndërtohet me shumë shpejtësi ka nevojë që të ndjekë ritme dhe standardet evropiane në ruajtjen e mjedisit”, tha ai.
Gjinushi tha se, “Akademia e Shkencave e ka konsideruar çështje me prioritet strategjik mbrojtjen e pasurive ujore dhe të të gjitha pasurive të lidhura me to, të florës dhe faunës; të sistemeve të rregulluara nga vetë natyra në rrjedhë të mijëvjeçarëve; burime këto të pazëvendësueshme për jetën e njeriut”.
“Ne jemi duke bashkëpunuar me universitetet dhe me institucionet dhe shërbimet e specializuara për të qenë faktor me ndikim të fuqishëm për vlerësimin maksimal të pasurive ujore dhe në mënyrë të veçantë për të parandaluar shfrytëzimin pragmatik të tyre, që shkon kundër strategjisë së mirëpërdorimit afatgjatë dhe përpjesëtimor të burimeve ujore”, shtoi ai./Motilokal.com
