Në Luginën e Drinos monitorohet popullata e kalit të qyqes

Në Luginën e Drinos monitorohet popullata e kalit të qyqes

Kali i qyqes është shkaba e fundit folezuese në Shqipëri. Ky shpend i jashtëzakonshëm dimëron në vendet e Afrikës Qendrore dhe folezon në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Sipas të dhënave kali i qyqes përshkon më tepër se 5000 kilometra, një fluturim i mbushur me rreziqe dhe peripeci të shumta.

Tanimë kali i qyqes ka ardhur në Shqipëri dhe individë të popullatës së tij janë dëshmuar në stacionin me ushqim plotësues të ndërtuar nga PPNEA.

Organizata PPNEA ka nisur të monitorojë e studiojë popullatën e kalit të qyqes që prej vitit 2013.

Aktualisht PPNEA është duke zbatuar projektin “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, duke bashkuar forcat me një numër të konsiderueshëm organizatash partnere nga Afrika, Azia dhe Europa.

Gjatë këtyre viteve, PPNEA në mënyrë të vazhdueshme ka sofistikuar qasjet monitoruese dhe konservuese, duke u përpjekur për të adoptuar trendet më të reja dhe teknikat më të mira në shkallë botërore.

Në kuadër të 30 vjetorit të themelimit të Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), janë vendosur disa kamera me transmetim direkt, të cilat monitorojnë lloje emblematike të faunës së egër në Shqipëri. Një prej këtyre kamerave live është instaluar rishtazi në një prej stacioneve me ushqim plotësues të ndërtuar nga PPNEA në luginën e Drinos.

Kamera live përbën një revolucion për monitorimin e jetës së egër, dhe, për herë të parë, ajo do të aksesohet nga kushdo nëpërmjet një linku në platformën YouTube.

“Kjo teknikë e re, do të na japë të dhëna më të plota mbi sjelljet e kalit të qyqes, shpeshtësinë e vizitave në stacion, kohën e qëndrimit, sjelljet riprodhuese, etj. Akoma më tej, të njëjtat të dhëna do të gjenerohen edhe për shpendë të tjerë me rëndësi, siç është shqiponja e malit, simboli ynë kombëtar”, njofton PPNEA./Motilokal.com