Liqeni i Shkopetit është një nga liqenet më panoramike në Shqipëri. Lugina e ngushtë e cila ngrihet vertikalisht në dy anët e sajë, e rrethuar me pyje e male e paraqet liqenin me pamjen më të bukur. Drurët e lofatës me lulet e saja i shtojnë koloritin e ngjyrave luginës, duke e bërë edhe më të bukur atë.
Përveçse peizazhit (liqeni, malet, ujëvara, shpella, kulla të vjetra shekullore etj), ka shumë mundësi për eksplorimin e natyrës, veçanërisht vargmali i Skënderbeut.
Liqeni është pjesë e Parkut Natyror të Ulzës. Nëse keni mundësi ta përshkoni rrugën përgjatë liqenit me biçikletë, do e shijoni në maksimum panoramën që ofrohet.
Shëtitja me varkë dhe peshkimi me grep janë gjithashtu alternativa shumë të mira në zonë.
Liqeni ka një gjatësi prej 11 kilometra, me thellësi prej 75 metra dhe gjerësi 240 metra. Në dy anët e liqenit ngrihen dy shkëmbinj të mëdhenj. Ndërsa peizazhi përreth tij rrethohet me gjelbërim.
Uji i pastër dhe natyra e bukur që ofron liqeni përreth, e shtynë vizitorin t’i bëjë pyetje vetës se përse nuk kam qenë më parë në këtë pikëtakim të bukurisë natyrore.
Në liqenin e Shkopetit rriten disa lloje të peshqve: rapi, mustaku sardelja dhe nili (një ndër peshqit më të rrallë të vendit). Por, një hidrocentrali i cili është vënë në funksion në vitin 1963 dhe vijon punë me intensitet për të përmbushur nevojat e jetës me kushtet e zhvillimit bashkëkohor, ka ndikuar jo në mënyrë të favorshme për rritjen e mëtejme të peshqve.
Ju sjellim disa fotografi mahnitëse të Liqenit të Shkopetit në stinën e pranverës, të realizuara nga ambientalisti Abdulla Diku./Motilokal.com















