Pavarësisht se emeton sasinë më të ulët të karbonit për kokë banori në botë, Afrika vuan ndikimin më të keq të ndryshimeve klimatike, përfshirë thatësira dhe përmbytje, pushtime karkalecash, njoftoi kreu i Grupit të Bankës Afrikane të Zhvillimit (AfDB), Akinwumi Adesina, transmeton AA.
Adesina në Samitin e Liderëve për Klimën tha se AfDB është zotuar për 25 miliardë dollarë për financimin lidhur me klimën gjatë katër viteve të ardhshme.
"Pjesa jonë e financimit kushtuar klimës u rrit nga 9 për qind në vitin 2016 në 35 për qind në vitin 2019 dhe do të arrijmë 40 për qind në vitin 2021", shtoi Adesina.
Ndërsa Presidenti i Gabonit, Ali Bongo Ondimba tha se lufta kundër ndryshimeve klimatike duhet të intensifikohet dhe të shërbejë si një mundësi zhvillimi për Afrikën.
"Vendet në zhvillim shpesh vuajnë më së shumti nga efektet shkatërruese të ndryshimit të klimës në formën e thatësirës, stuhive ekstreme dhe ngritjes së nivelit të detit", theksoi presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Ramaphosa shtoi se si pasojë, ekonomitë e zhvilluara kanë përgjegjësi të mbështesin ekonomitë në zhvillim për t'u mundësuar atyre zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Më tej ai u bëri thirrje të gjitha ekonomive të zhvilluara, për të cilat tha se mbanin përgjegjësinë më të madhe historike mbi emetimet, të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj ekonomive në zhvillim.
Sipas tij, kjo do të jetë jetike për rivendosjen e lidhjeve të besimit midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.
"Siç kemi bërë që nga koha e Nelson Mandelas, Afrika e Jugut është e gatshme të punojë me kombet e tjera në ndërtimin e urave për të gjetur zgjidhje që sigurojnë të ardhmen e njerëzimit", shtoi Ramaphosa./Motilokal.com
