BE: Certifikata e imunitetit mund të jetë funksionale deri në fund të qershorit

BE: Certifikata e imunitetit mund të jetë funksionale deri në fund të qershorit

27 vendet anëtare të Bashkimit Europian (BE) kanë rënë dakord që të miratojnë certifikatën e vaksinimit, si një hap drejt rihapjes së turizmit këtë verë, ndërsa detajet do t’i negociojnë në maj.

Komisioni Europian kishte kërkuar që e ashtuquajtura “certifikata e gjelbërt” digjitale të aplikohet nga fundi i qershorit, nën trysninë e shteteve anëtare që varen më shumë nga turizmi si Greqia dhe Spanja.

Certifikatat do të lejojnë ata që janë vaksinuar, të cilët janë shëruar nga COVID-19 ose që kanë një test diagnostikues negativ të udhëtojnë më lehtë në BE.

Komisoneri Europian për drejtësinë Didier Reynders theksoi se certifikata e gjelbërt digjitale nuk është një pasaportë e thjeshtë vaksinimi, por edhe certificatë e testimit kundër COVID-19, apo për personat që e kanë kaluar sëmundjen, dhe kanë antitrupa.

Marrëveshja midis shteteve anëtare përfshin dispozita anti-diskriminuese për ata që nuk mund ose nuk dëshirojnë të vaksinohen.

Ndërsa shteteve anëtare do t’u kërkohet të njohin vaksinat e miratuara nga BE, vende të caktuara do të jenë gjithashtu në gjendje të lëshojnë certifikata që mbulojnë vaksinat, të tilla si Sputnik ose Sinovac, të cilat janë të aprovuara vetëm në territorin e tyre.

Vendet e tjera të BE do të vendosin nëse do të pranojnë një certifikatë për dozat që nuk janë aprovuar nga rregullatorët e BE, pra për vaksinat ruse apo kineze./Motilokal.com