Shfaqet ylberi në Mars? NASA shpjegon imazhin e roverit Perseverance

Shfaqet ylberi në Mars? NASA shpjegon imazhin e roverit Perseverance

Gjatë fundjavës, roboti Perseverance kapi një imazh qe dukej se ishte një ylber mahnitës në horizontin marsian. Fotografitë e shpërndara bënë që përdoruesit e rrjeteve të diskutonin mbi teori të ndryshme se si një ylber është i mundur në Mars.

Pas disa ditësh spekulimesh, NASA vendosi të zbulojë të vërtetën. Ky fenomen nuk është i mundur në planetin e kuq, por në të vërtetë ky “ylber” është krijuar nga reflektimi i lentes, që ndodh kur drita godet thjerrëzën e kamerës në një kënd specifik.

“Shumë kanë pyetur: A është një ylber në Mars? Jo. Ylberet nuk janë të mundshëm këtu. Ylberet krijohen nga drita e reflektuar nga pikat e rrumbullakëta të ujit, por këtu nuk ka mjaft ujë për t’u kondensuar dhe është shumë e ftohtë për ujë të lëngshëm në atmosferë. Ky hark është një shpërthim i lenteve”, kanë shkruar zyrtarët e agjencisë në Twitter.

Por a do të shohim ndonjëherë ylber në planet të tjerë? Është diçka e vështirë për t’u realizuar, por jo e pamundur. Në Venus, për shembull, diçka e ngjashme me një ylber mund të formohet për shkak të pranisë së pikave të acidit sulfurik të pranishëm në atmosferën e saj. Edhe në Titan, hëna më e madhe e Saturnit ku bie metani, është e mundur që të formohen ylber./Motilokal.com