Mënyra më e mirë për të patur vetëbesim dhe kreativitet është t’i vishni atletet dhe të vraponi! Ky është aktiviteti ideal, jo vetëm për të qenë në formë fizike, por edhe për të patur frymëzim, vetëbesim, kreativitet dhe rezultat në punë.
Vrapimi, sidomos në mëngjes është një kurë për një ditë më të mirë.
Sipas një studimi, ku janë anketuar më shumë se 7000 persona nga shtatë vende të ndryshme të botës, që vraponin të paktën dy herë në javë, përfundimet e nxjerra janë mahnitëse.
Për diçka të gjithë të anketuarit binin dakord: Vrapimi sjell një kthesë në ditën e tyre.
Pothuajse të gjithë vrapuesit (97 për qind), u shprehën se një vrapim i lehtë në mëngjes sjell humor të mirë gjatë ditës.
60 për qind thanë se vrapimi u sillte më shumë energji në punë, ndërsa 44 për qind mendonin se ai sillte përmirësim sa i përket aspektit të vetëbesimit dhe kreativitetit.
Ndërsa 26 për qind u shprehën se të vrapuarit u bënte mirë jo vetëm fizikisht, por i bënte të ndiheshin më dinjitoz dhe më të përgjegjshëm.
Nuk është çudi që vrapimi ka fuqinë për të ndryshuar jetën e njerëzve./Motilokal.com
