‘Shotë Galica’ e Deçanit në mbrojtje të Lumëbardhit

‘Shotë Galica’ e Deçanit në mbrojtje të Lumëbardhit

Rrjedha e lumit Lumëbardhë në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në përplasje në mes të atyre që këmbëngulin në ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit.

Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin e aktivistëve mjedisor, por edhe të banorëve.

Ndër aktivistët është edhe Shpresa Loshaj, e cila nga Kanada është kthyer në Kosovë për të mbrojtur pasurinë natyrore të vendit nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Ajo që dy vite është duke bërë “luftë” kundër hidrocentraleve të vogla në luginën e Deçanit, ku kompania austriake Kelag (Kelkos në Kosovë) zhvillon disa projekte hidroenergjetike në lumin Lumëbardhë brenda zonës së Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna.

Siç ka ndodhur edhe në disa lumenj tjerë në Kosovë, si në lumin Lepenc të zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit, digat dhe gypat janë bërë pjesë e peizazhit.

Sot, Shpresa është një heroinë e mbrojtjes së lumenjve të Kosovë, saqë ka marrë urdhrin “Shotë Galica”.

Për të na folur më shumë rreth aktivizimit të saj në Deçan dhe gjendjes së Lumëbardhit, për problemet e hasura si dhe për rrugën që e pret, Motilokal.com ka zhvilluar një intervistë me aktivisten Shpresa Loshaj.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Loshaj, a mund t’na tregoni se cili ishte shkaku që t’i hyni kësaj rruge me shumë rreziqe?

Për dy arsye: e para është se unë jam rritur në bjeshkët e Deçanit, ku kompania Kelkos i ka ndërtuar hidrocentralet dhe gjithmonë i kam ruajtur kujtimet më të mira të asaj natyre të paprekura nga lufta. Por kur e kam pa tragjedinë që ka ndodh me ndërtimin e hidrocentraleve, për mua ka qenë shumë e vështirë, sepse jam zhgënjyer thellësisht se s’ka mbet asnjë vend në Kosovë që nuk qenka shkatërruar. Edhe ato që shpëtuan nga lufta tash po i shkatërrojmë vet.

E dyta, kur kam filluar të ngre zërin kam hasur në rezistencë dhe shpejt është bërë e ditur se ‘nuk po bën të flasësh keq për Kelkosin në Deçan e kjo më ka bërë edhe me të vendosur që të flasë dhe t’i sjellim respekt dhe ligjshmëri Grykës së Deçanit, sepse ne deçanasit kemi sakrifikuar shumë për një Kosovë të lirë dhe demokratike, dhe nuk isha në gjendje që të dorëzohem aq shpejtë. Po të ishte e pranuar rruga e dorëzimit para të keqes, ne ishim dashtë të dorëzohemi para luftës që të mos vuanim dhe të sakrifikoheshin dhjetëra-mijëra njerëz. Pasi kemi qëndruar atëherë, edhe këtë rrugëtim e shoh si zgjatje të atyre sakrificave për liri të plotë dhe jetë me dinjitet në Kosovën që e duam dhe nuk shoh tjetër rrugë.

Për një ambientaliste, cili është ndikimi i hidrocentraleve në natyrë?

Hidrocentralet që janë ndërtuar në Kosovë pas luftës, si këto të Kelkosit në Deçan, janë tejet të dëmshme për lumin dhe mjedisin, për shumë arsye por kryesorja është se e bëjnë devijimin e ujit nga shtrati i lumit që dërgohet në gypa të gjerë 2.2 metra dhe përmes gypave dërgohet në turbina disa dhjetëra kilometra më poshtë ku edhe prapë del në lum, por fakti është se ato dhjetëra kilometra po mbesin pa ujë të mjaftueshëm për jetën në lumë dhe eventualisht është shkatërruar e gjitha bota e gjallë. Gjithmonë ka patur peshq në Lumëbardhin e Deçanit, tash nuk mundesh të peshkosh më në ato vende, sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm që të mbijetojnë peshqit.

Një pjesë e Lumëbardhit të Deçanit tashmë është nën gypat e “KelKos Energy” për 40 vitet e ardhshme. Si është gjendja, a ka shpresë që Lumëbardhi të kthehet siç ka qenë?

Lumëbardhi ka gati një dekadë që nuk e sheh dritën e diellit, janë diku 18 kilometra gypa të diametrit 2.2m përgjatë grykës se Deçanit, në të cilët futet uji për hidrocentrale. Kelkosi ka licencë të kundërligjshme nga ZRrE për 40 vite dhe sipas kontratës fillestare ata mund të shtyjnë edhe për 40 vite të tjera. Por jemi të sigurt se siç po punon Kelkosi nuk do të ketë më Lumëbardhë pas 40 viteve, dhe nëse Kosova vazhdon siç ka qenë deri tash, nuk ka shpresë për Lumëbardhin as të ardhme për jetesë e deçanasve. Por, duke parë rrezikun për të ardhmen tonë, ne jemi duke punuar që kjo të mos ndodh. E dimë që nuk është punë e lehtë dhe do të marrë shumë kohë, por jemi të bindur se do të fitojmë, sepse nuk ka rrugëdalje tjetër. Lumëbardhit dhe Deçanit duhet t’i kthehet jeta, sepse sakrificat e deçanasve për të mbrojtur atë me shekuj janë të shenjta për të lejuar Kelkosin dhe ata që përfitojnë dhe shkelin mbi to.

Sa janë të informuar qytetarët rreth hidrocentraleve dhe ndikimit të tyre në mjedis?

Qytetarët janë fare pak, apo aspak të informuar për dëmet që shkaktojnë hidrocentralet në lumin dhe bjeshkët tona. Fatmirësisht ka pasur raportime nga mediat këto vitet e fundit, por bash në vitet që ka qenë duke ndodhur shkatërrimi i madh gati askush nuk e ka ditur. P.sh. askush nga mediat nuk ka qenë në Zall të Rupës kur Kelkosi ka gërmuar miliona tonelata zall pa asnjë kriter mjedisor dhe pa asnjë leje nga askush. Po të dihej kjo punë dhe të bëhen pyetje në ministri ndoshta nuk e kishin pasur aq të lehtë. Kur ka filluar të dihet, autoritetet lokale kanë punuar fort që të mbajnë çdo gjë të mbuluar. Edhe tash, me gjithë përpjekjet tona që të njoftojmë publikun për dëmet dhe rëndësinë e mbrojtjes se mjedisit, janë disa persona në Deçan që ende po punojnë, fshehtas, që banorët të mos njoftohen më atë që është duke ndodhur. Pastaj në Deçan dhe gjithë Kosovën, ne nuk i kemi parë resurset tona të shkatërruara më parë, kështu që edhe nuk mund ta ndjejmë ndikimin e këtyre dëmeve në të ardhmen, sepse është vështirë të paramendosh që Deçani në të ardhmen e afërt do të mbetet pa ujë kur ne gjithmonë kemi pasur ujë të bollshëm.

Ministria e Ambientit do të duhej të ishte gardian i natyrës në Kosovë, por po ndodh e kundërta, duke dhënë leje për shkatërrimin e saj. Cili është komenti i juaj?

Disa individë në Ministri të Ambientit me vite e kanë poshtëruar këtë institucion duke mos e përfillur asnjë ligj, duke mos e marrë të paktën një vendim që i mbron ujërat, dhe së fundi  kur haptazi, pa pikë frike e turpi e morën Ministrinë e Ambientit peng që t’i shërbejnë Kelkosit më të gjitha që ata dëshiruan. Veprimet e këtyre individëve janë turpi i Kosovës që shpresojmë të mbeten vetëm një kujtim i hidhur në historinë tonë. Ne jemi duke bërë një dokumentim dhe analizim të vendimeve të Ministrisë në relacion me Kelkosin. Deri tash, nuk kemi gjetur asnjë vendim që respekton mandatin e Ministrisë si mbrojtëse e mjedisit dhe ujërave. Pra që 10 vite kjo ministri nuk ka qenë një herë në gjendje të marrë një vendim sipas përgjegjësive të tyre në mbrojtje të ujërave në Deçan, por gjithmonë kundër. Kjo është fenomen që duhet studiuar në vete se si është e mundur që një institucion i tërë që ka për detyrë mbrojtjen e mjedisit, të angazhohet pikërisht në vendime që shkojnë kundër këtij mandati.

Si e vlerësoni dhe sa do të ndikojë padia që ua ka bërë kompania KelKos në aktivizimin tuaj?

Padia e Kelkosit ka ndikuar shumë në punën time, sepse e ka mobilizuar popullin dhe ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Kelkosi ka qenë i paprekshëm në Deçan dhe Kosovë, dhe çdo kush që është munduar t’ju dalë përballë e ka pësuar. Prandaj, Kelkosi janë ndier të lirë që të më padisin, por kurrë se kanë menduar se nuk do t’ju dalë siç kanë paramenduar. Mendoj se po të kishin qenë në dijeni se çka mund të ndodh nuk do të vepronin kështu. Në rastin tim Kelkosi ka pësuar dëm të madh, por ata nuk e kanë qëllimin vetëm tek unë, por te të gjithë ata që mendojnë të ekspozojnë krimet e tyre mbi natyrën tonë, e duke konsideruar brishtësinë e demokracisë sonë, kjo fatkeqësisht do të ketë ndikim negativ në aktivizim. Ky rast do të jetë precedent për të ardhmen prandaj edhe Gjykata duhet që shpejt të vendosë në mbrojtje të demokracisë sonë. Evidenca për atë që avokoj më është dërrmuese, e kemi dëshmuar edhe në përgjigjen tonë në padi.

Znj. Loshaj, sa është e vështirë të jesh “Shotë Galica” në mbrojtje të natyrës së Kosovës?

Është nder dhe privilegj që të dekorohem nga Presidentja Vjosa Osmani pasi ajo është e vetmja nga përfaqësueset e institucioneve të Kosovës që nga fillimi na ka dëgjuar dhe përkrahur me sinqeritet. Kjo dekoratë është edhe përgjegjësi që me punën time ta nderojë emrin e Shotë Galicës dhe institucioneve të Kosovës. E kështu nuk është e vështirë, por e bën punën time më të lehtë, përderisa unë qëndroj besnike ndaj vlerave për të cilat u dekorova, të cilat tashmë janë pjesë e personalitetit dhe jetës sime.

Sa keni përkrahje nga institucionet, komuniteti dhe organizatat joqeveritare apo shoqëria civile?

Fatkeqësisht, institucionet si komuna, Ministria dhe ZRRE jo vetëm që nuk na kanë përkrahur, por kanë qenë vazhdimisht duke punuar për ta sabotuar punën tonë. Energjia më e madhe neve na ka shkuar duke u munduar të ndalim individë që në emër të institucioneve të Kosovës vazhdonin të vepronin kundër interesave të vendit tonë. Frika më e madhe për ne ka qenë se çfarë po bëjnë tjetër këta individë nëpër institucione, sepse ata çdoherë kanë punuar pas shpinës së banorëve dhe ende nuk dihet efekti i plotë se çka kanë bërë.

Për fund, çfarë u sugjeroni banorëve të zonave të tjera ku po tentohet ndërtimi i hidrocentraleve?

Kur erdhi Kelkosi në Deçan, ishte përhapur fjala se do të investohen 55 milionë euro në sport, kulturë, se do të asfaltohen rrugët e bjeshkëve, do të ndërtohet fshati turistik në bjeshkë, etj. Pas nëntë vitesh, nëse i hedhni një shikim Zallit të Rupës në Deçan, ju do ta shihnit të ardhmen e vendit tuaj. Asnjë evidencë nuk ekziston se është shpenzuar një cent për të mirën tonë, por miliona euro janë përfituar nga uji jonë, dhe nga zalli që Kelkos e ka gërmuar ilegalisht nga lumi i Zallit të Rupës. Investimet e mirëfillta në energji të ripërtëritshme nuk ndodhin në hidrocentrale, ka vite që Evropa dhe bota ka kaluar në burime tjera si energjia diellore dhe era. Prandaj hapni sytë se nuk janë aty për të ju ndihmuar juve dhe Kosovën, por vetëm xhepat e tyre duke e shkatërruar të ardhmen tuaj./Motilokal.com