Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka bërë të ditur se duke filluar nga nesër do të nis procesi i vaksinimit në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetori”, kurse në komuna të enjten ose të premten e kësaj jave.
Ai këtë e njoftoi gjatë një takimi online me Këshillin e Kryetarëve të Komunave në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit pasë arritjes së kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.
Ministri Vitia kërkoi që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit të pandemisë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi.
Më tej kreu i Shëndetësisë theksoi se është duke u bërë një vlerësim i përgjithshëm i situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashku me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë do ta bëjnë në bashkëpunim me Komunat.
Ndërsa Kryetarët e Komunave në këtë takim u shprehen të gatshëm që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin sa më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë rreth procesit të fillimit të vaksinimit por dhe sfidave të tjera me të cilat janë duke u ballafaquar komunat./Motilokal.com
