Investimi i planifikuar në energjinë e pastër duhet të rritet me 30%, në një total prej 131 trilionë dollarë deri në vitin 2050 për të shmangur ndryshimin katastrofik të klimës dhe për të rritur masivisht prodhimin e hidrogjenit, sipas një studimi të botuar të martën.
Në raportin e saj kryesor vjetor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme nënvizoi shkallën dhe ritmin e ndryshimit të nevojshëm për të kapërcyer rritjen e temperaturave mesatare globale në 1.5 gradë Celsius, në përputhje me marrëveshjen e klimës së Parisit 2015.
"Hendeku midis vendit ku jemi dhe asaj që duhet të jetë nuk po zvogëlohet por po zgjerohet", tha Francesco La Camera, drejtor i agjencisë, ku janë mbi 160 vende anëtare.
"Na duhet një përshpejtim drastik i tranzicionit të energjisë për të bërë një kthesë domethënëse", shtoi ai.
"Rruga prej 1.5 gradë Celsius e agjencisë e paraqitur në raport zbuloi se konsumi i karburantit fosil do të duhet të bjerë me më shumë se 75% deri në 2050, me naftën dhe qymyrin duke u tkurrur më shpejt”, tha ai.
Përdorimi i gazit natyror do të duhet të arrijë kulmin në vitin 2025, pavarësisht se do jetë lënda mbizotëruese deri në mes të shekullit.
Kapaciteti i energjisë së rinovueshme do të duhet të zgjerohet më shumë se dhjetë herë nga mesi i shekullit, i shoqëruar nga një rritje 30 herë në elektrifikimin e transportit, zbuloi raporti.
Ai parashikoi gjithashtu një rritje dramatike në prodhimin dhe përdorimin e "hidrogjenit të gjelbër" - një karburant me zero karbon i bërë nga elektroliza, duke përdorur energjinë nga era dhe dielli, që ndan ujin në hidrogjen dhe oksigjen.
Deri në vitin 2050, 30% e përdorimit të energjisë elektrike do t'i kushtohet prodhimit të hidrogjenit të gjelbër dhe derivateve të tij, të tilla si e-amoniaku dhe e-metanoli, tha raporti.
Për ta prodhuar këtë, kapaciteti global i elektrolizuesit do të duhet të zgjerohet në pothuajse 5,000 Gigavat nga 0,3 GW sot.
Raporti tha se qeveritë ende mund të shfrytëzojnë paketat e rimëkëmbjes post-pandemike, të cilat deri më tani kanë favorizuar kryesisht lëndët djegëse fosile, për të përshpejtuar tranzicionin./Motilokal.com
