Raporti i Parlamentit Europian për Kosovën me kritika për sektorin e energjisë, kërkon mbylljen e termocentralit ‘Kosova A’

Raporti i Parlamentit Europian për Kosovën me kritika për sektorin e energjisë, kërkon mbylljen e termocentralit ‘Kosova A’

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, është shprehur e brengosur për sektorin e energjisë elektrike dhe për varësinë e Kosovës ndaj qymyrit dhe dëmet që sektori po i shkakton mjedisit.

Ajo ka thënë se Kosova duhet të harmonizojë përkushtimet rreth sektorit energjetik dhe të ndryshojë miksin në atë më të qëndrueshëm dhe më pak të dëmshëm në pajtim me Marrëveshjen e Gjelbër Europiane.

Në raport, Parlamenti Europian ka ripërsëritur thirrjet për Kosovën që të sigurojë përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe objektivat politike për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, në vijë me përkushtimet nën Marrëveshjen e Parisit dhe objektivin strategjik për neutralitet ndaj karbonit deri në vitin 2050 si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

Parlamenti ka kërkuar nga Kosova të punojë në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që pasqyron prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

“U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbushin zotimin e tyre për mbylljen dhe çaktivizimi e termocentralit Kosova A; mirëpret gatishmërinë e Komisionit Europian për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në këtë proces si financiarisht ashtu edhe teknikisht”, thuhet në raportin e paraqitur nga Von Cramon.

Po ashtu ajo është shprehur e shqetësuar edhe numrin e vdekjeve të parakohshme për shkak të ajrit të ndotur.

Von Cramon përmes raportit i bën thirrje Kosovës për sjellje vlerësimet e ndikimit në mjedis në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe të miratojë masat e nevojshme për të ruajtur dhe mbrojtur zonat e ndjeshme ndaj mjedisit.

Më tej raportuesja e Parlamentit Europian është shprehur e shqetësuar për sasinë e ulët të burimeve ujore që ka Kosova në dispozicion.

Raportuesja u ka bërë thirrje që institucionet të respektojnë zonat e veçanta natyrore dhe të mbrojtura kur planifikojnë hidrocentralet për të mos vënë në rrezik qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë./Motilokal.com