Ujësjellësi ‘Prishtina’ me këshilla për përdorimin e ujit në objekte banesore dhe shtëpiake

Ujësjellësi ‘Prishtina’ me këshilla për përdorimin e ujit në objekte banesore dhe shtëpiake

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka dhënë disa këshilla se si të përdoret dhe kursehet uji i pijshëm në objektet banesore dhe shtëpiake.

“Të gjithë  e dimë rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme që ka uji i  pijshëm për njeriun dhe natyrën. Uji i pijshëm është themelor për jetën  dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për shëndetin tonë. Kontributi ynë karshi përdorimit  të ujit duhet të jetë i fokusuar në shpenzimin racional”, thuhet ndër tjera në komunikatën e KRUP-it.

Ujësjellësi “Prishtina” thekson se uji nuk kursehet vetëm në natyrë, ujin mund të kursejmë edhe në shtëpitë/banesat tona.

“Qëllimi i thirrjes për përdorim sa më të drejtë të ujit është i orientuar në ruajtjen e burimeve ujore për periudhat që po vijnë. Akumulacionet varen nga dy faktorë: reshjet atmosferike dhe shfrytëzimi racional i ujit nga ne”, njofton KRUP.

Disa këshilla se si mund të përdorim në mënyrë sa më të drejtë ujin e pijshëm brenda objekteve të banimit:

Kontrolloni pajisjet hidrosanitare herë pas here për ndonjë rrjedhje të mundshme të ujit, sidomos në WC (guacën e tualetit) dhe rubinetin e banjos tuaj. Një rrjedhje e fshehur e ujit në tualet mund të çoj dëm prej 30-500 litra ujë. Me mundësitë që keni aktualisht, rregulloni çdo gjë që rrjedhë në banjon tuaj.

Gjatë larjes së duarve, fytyrës dhe dhëmbëve, gjithnjë mbylleni mirë rubinetin përgjatë procesit të pastrimit dhe kështu ju kurseni rreth 20 litra ujë në minutë.

Derisa jeni duke bërë dush dhe ndërkohë  e ndalni rubinetin përgjatë pastrimit, kështu ju mund të kurseni deri në 570 litra ujë në muaj

Shpeshherë ndodhë që, rrjedhjet e ujit në guacën e tualetit të jenë krejtësisht të pa zhurmshme andaj, kontrolloni herë pas here.

Nëse keni ujëmatës brenda banesës tuaj, kontrolloni herë pas here për ndonjë rrjedhje të mundshme por assesi të manipuloni me të.

Kur përdorni makinën e larjes (lavatriçen) mbusheni kazanin në kapacitetin e tij të plotë.

Kur pastroni me ujë pemët e perimet, mos lejoni që uji të rrjedhë vazhdimisht mbi to.

Pastro duart vazhdimisht me ujë, mbaje higjienën personale por kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm!/Motilokal.com