Një vit më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli përhapjen e koronavirusit pandemi globale, një veprim që erdhi pas refuzimit disa javor me arsyetimin se përhapja e virusit mund të ndalohej.
Pandemia shkatërroi ekonomi dhe u ndryshoi jetën miliarda njerëzve.
Në atë kohë, shefi i OBSH tha: “Në ditët dhe javët në vijim presim të shohim shifra të rasteve, shifra të vdekjeve dhe shifra të vendeve të prekura që rriten edhe më shumë. Ne kurrë më parë nuk kemi parë një pandemi të shkaktuar nga një koronavirus”.
Ndërsa një vit pas, Organizata Botërore e Shëndetësisë vijon të jetë një hap mbrapa shkencës dhe ende nuk ka fuqinë të bindë vende të ndryshme të braktisin qasjen e tyre nacionaliste dhe t’i ndihmojë të varfëritë që të marrin vaksinat.
Një vit pandemi gjatë të cilit agjencia e OKB-së bëri disa gabime të kushtueshme. Së pari doli kundër mbajtjes së maskave në publik dhe deklaroi se COVID-19 nuk përhapet përmes ajrit. Gjithashtu refuzoi të kritikojë hapur disa vende, sidomos Kinën për gabimet në fazën e parë të përhapjes së virusit.
Një sjellje e tillë sfidoi besueshmërinë e OBSH-së dhe solli përplasje mes fuqive të mëdha.
Paralajmërimi i parë nga OBSH-ja erdhi më 30 Janar 2020, por shumë vende e injoruan.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, pandemia vrau mbi 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa infektoi mbi 118 milionë.
Në Shtetet e Bashkuara, vendin më të goditur në botë, gati 530,000 njerëz vdiqën dhe së paku 29 milionë u infektuan. Infektimet ditore, vdekjet dhe shtrimet në spital ranë dukshëm atje, pjesërisht për shkak të vaksinimit.
Rreth 62 milionë njerëz në SHBA u vaksinuan deri më tani me një ose më shumë doza, apo rreth 19 për qind e popullsisë së rritur. Derisa fushata e vaksinimit përshpejtohet, më shumë shtete amerikane po i heqin kufizimet, duke rihapur restorantet, dyqanet dhe shërbimet e tjera.
Megjithatë, ekspertët paralajmëruan se lehtësimi i parakohshëm i masave shëndetësore mund të nxisë një tjetër valë të infeksioneve. Kjo valë e re po ndodh tashmë në pjesë të Evropës dhe Amerikës Latine, ku variantet e reja të virusit morën hov. Brazili regjistroi të mërkurën një rekord të ri të vdekjeve ditore nga virusi: 2,286.
Në Evropë, i ashtuquajturi variant britanik i koronavirusit është duke u bërë dominues në shumë vende. Në Gjermani, ky variant po përhapet shpejt dhe zë tani rreth 55 për qind të infeksioneve të reja. Spanja do të forcojë masat e izolimit gjatë festës së Pashkëve. Disa vende në Ballkan po ashtu do të rrisin kufizimet, mes tyre Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Në Kosovë, rastet e para me COVID-19 u shfaqën më 13 mars, dy ditë pasi COVID-19 u shpall pandemi dhe një muaj pasi kishin filluar testimet në Klinikën Infektive në QKUK.
Në Kosovë, numri total i rasteve pozitive është 74.748 raste dhe 1.674 raste të vdekjes, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve është gjithsej 62.983 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.091./Motilokal.com
