Banorët e Teksasit ende janë duke luftuar me të ftohtin ekstrem që ka goditur vendin.
“Jemi në gjendje të vështirë dhe vetëm po përkeqësohet.”, u shpreh Thomas Black, banor në Dallas.
Energjia elektrike po rikthehet ngadalë në shtet, ndërsa po shfaqen probleme të reja. Banorët po raportojnë për emergjenca të shumta në banesat e tyre. Sistemet e shpërndarjes së ujit janë të mbingarkuara duke zgjatur kështu emergjencën, ndërsa tubacionet që rrjedhin po shterojnë rezervat.
Problemi më i madh mbetet uji i pijshëm. Gjysma e popullatës në Teksas po ndjekin këshillën për ta valuar ujin para konsumimit. Mungesa ka edhe në furnizimin me ushqime, ndërsa mungesa e energjisë elektrike në supermarket dhe rrugët e ngrira kanë ndikuar shpërndarjen.
Mungesa në furnizimin me ujë dhe presioni i ulët po prekin shërbimet e emergjencës. Zjarrfikësit po vuajnë mungesën, teksa hasën probleme në fikjen e një zjarri të madh në një kompleks banimi në San Antonio.
“Bëmë një punë të mirë dhe më pas na mbaroi uji”, u shpreh Jerry Bialick, departamenti i zjarrfikëseve.
Shërbimi meteorologjik kombëtar konfirmoi se më shumë se 100 milionë amerikanë janë vënë në gjendje alarmi për shkak të stuhive të forta dimërore. Masa e ajrit të ftohtë që vjen nga Arktiku ka nisur të përhapet dhe temperaturat do të vazhdojnë të jenë deri në minus 19 gradë celsius në pjesën qendrore të territorit amerikan.
Stuhia e motit të ftohtë ka shkaktuar probleme edhe në vaksinimin e qytetarëve dhe u ka marrë jetën dhjetëra personave./Motilokal.com















