AOS (Albanian Ornithological Society) ka njoftuar se pak ditë më parë, stafi i ADZM Berat informoi mbi gjetjen e një Shqiponjës së malit (Aqila chrusaetos) në Skrapar e cila më pas u përcoll prej tyre në Qendrën e Rehabilitimit të Shpendëve të Egër në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Sipas AOS analiza grafike e kryer nga ADZM Fier, konfirmoi dyshimet se shpendi ishte i plagosur dhe i paaftë për fluturim. Grafika tregoi se trupi i Shqiponjës së Malit ishte i mbushur me saçme ndërsa krahu i djathtë rezulton i thyer. Me shumë mundësi shpendi është qëlluar për tu kapur e përdorur si objekt tregtie. Pra, kemi të bëjmë me një viktimë të pastër të brakonazhit me qëllim tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra. Që të dy veprimet janë rreptësisht të ndaluara dhe duhet të penalizohen.
“Shqiponja e malit, ky simbol kombëtar, shpend madhështor i maleve tona, është pikërisht ai që na jep krenarinë dhe identitetin kombëtar. Ndaj ky rast i goditjes apo i tregtimit të Shqiponjës së malit saj nuk është thjesht një vrasje apo tregti tjetër që duhet kaluar në heshtje. Është vrasje dhe përdhosje e simbolit tonë kombëtar ndaj dhe duhet që autoritetet përgjegjëse ta marrin rastin tepër seriozisht dhe ta hetojnë sikurse hetohet çdo krim i rëndë”, thekson AOS.
Më tej AOS thotë se ky krim është akoma më i rëndë se çka paraqitet nëse marrim parasysh se në 20 vitet e fundit, popullata e Shqiponjës së malit ka pësuar rënie drastike. Nëse në fillimin e viteve 2000, BirdLife International raporton çifte të Shqiponjës së malit, Atlasi i Shpendëve Folezues të Europës raporton në 2020 për vetëm çifte folezues.
“Pra në 20 vitet e fundit, popullata e Shqiponjës së malit në Shqipëri vlerësohet të ketë rënë me rreth 50-60 %. Një rënie katastrofike dhe tepër shqetësuese për çdo institucion dhe çdo qytetarë.”
AOS kërkon nga autoritetet të reagojnë me hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme të këtij rasti që ky lajm i trishtë të mos përdoret vetëm për të njollosur Shqipërinë. Por ata duhet të reagojnë dhe për rimëkëmbjen e simbolit tonë kombëtar që po rrezikon të zhduket nga memoria historike. Vite të shumta të përndjekjes, vrasjes, rrëmbimit të të vegjëlve, helmimit dhe përshqetësimit të habitateve folezuese po e zhdukin simbolin tonë. Kjo humbje nuk ka çmim sepse ruajtja e memories historike është më e rëndësishme se çdo gjë.
“Nëse nuk veprohet sot, nesër askush nuk do të flasë më për lidhjen simbolike të kombit tonë me Shqiponjën e malit dhe shqiptarët mund të quhen çdo gjë veç jo bijtë e Shqipes Krenare”, shprehen nga AOS./Motilokal.com

