Kompania franceze e energjisë ENGIE dhe kompania norvegjeze ndërkombëtare e energjisë Equinor do të bashkëpunojnë në zhvillimet e hidrogjenit me karbon të ulët, thuhet në deklaratën e Equinor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit partnerët do të shqyrtojnë prodhimin dhe potencialin e tregut për hidrogjen nga gazi natyror përmes së cilës dioksidi i karbonit (CO2) do të merret dhe ruhet përgjithmonë në det të hapur.
Më tej bëhet e ditur se kompanitë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për shqyrtimin e zhvillimit të zinxhirëve të vlerës së hidrogjenit me karbon të ulët në Belgjikë, Holandë dhe Francë.
Kompanitë ENGIE dhe Equinor së shpejti pritet të fillojnë diskutimet me klientët e mundshëm për vlerësimin e projektit si dhe me palët e interesit dhe autoritetet përkatëse.
“Është thelbësore të zhvillohen projekte me hidrogjen me karbon të ulët dhe të rinovueshëm në shkallë të konsiderueshme në mënyrë që të bëjnë të mundur që klientët industrialë të ulin ndjeshëm emetimet e dioksidit të karbonit para vitit 2030”, thuhet në deklaratën e kompanive.
Në deklaratë theksohet se ky zhvillim i karbonit të ulët dhe hidrogjenit të rinovueshëm do të përshpejtojë ndërtimin e infrastrukturës së re të hidrogjenit dhe ripozicionimin e infrastrukturës aktuale të gazit natyror, duke hapur kështu rrugën për zero emetime në vitin 2050./AA/Motilokal.com
