Me datën 1 nëntor, duke filluar nga ora 16.30 në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë, do të zhvillohet marshi kundër ndryshimeve klimatike nga të rinj shqiptarë të cilët kanë zgjedhur t’i bashkohen nismës botërore “E Premtja për të Ardhmen” - “Fridays For Future”.
Organizatorë i këtij marshi është Instituti i Politikave Mjedisore (IPM), të cilët do t’i bashkohen qyteteve në mbarë botën të premten e ardhshme.
Pse duhet protestuar kundër ndryshimeve klimatike?
“Po arrijmë pikën e moskthimit në krizën klimatike, ku pas kësaj vihet në lëvizje një reaksion zinxhir i pandalshëm. Koha që të gjithë ne të veprojmë është shumë e shkurtër, më pak se 10 vjet. Brenda 10 vitesh, njerëzimi duhet të ulë shkarkimet e CO2 me mbi 70 % që të kemi një shans për të frenuar ngritjen globale të temperaturës mesatare me 2 °C. Nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë temperaturat do të rriten me 5-6 °C dhe kjo do të thoshte dhe shfarosja e njeriut si lloj mbi planetin Tokë. Secili nga ne duhet të bëjë detyrën e tij/saj! Së bashku të mbrojmë të ardhmen e njerëzimit dhe planetit tonë”, thuhet në njoftimin e Institutit të Politikave Mjedisore.
Në njoftimin e IPM-së thuhet se nismës “E Premtja për të Ardhmen” do t’i bashkohen edhe shqiptarët miliona të rinjve anembanë botës që kërkojnë që njerëzimi të marrë masa urgjente për të ulur shkarkimet e CO2 në atmosferë. Planeti është në flakë! E ardhmja e njerëzimit dhe e fëmijëve tanë është në pikëpyetje. Bashkohu edhe ti për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e gjithë njerëzimit dhe planetit!
“Gjithashtu, më 1 nëntor është Dita Botërore e Veganizmit! Të marshojmë gjithashtu për të drejtat e kafshëve dhe për një shëndet më të mirë”, bëhet e ditur nga IPM.
Bashkohu me IPM-në e shumë grupe të tjera më 1 nëntor 2019 te Sheshi Nënë Tereza, Tiranë, nga ora 16:30.
Shqipëria është dhe do të jetë vendi më i prekur në Evropë nga kriza klimatike, me përmbytje të qindra km2 nga deti, me thatësira të tej zgjatura e që pasohen nga përmbytjet. /Motilokal.com
