Hulumtim: Ndotja e ajrit rrit rrezikun e humbjes së shikimit

Hulumtim: Ndotja e ajrit rrit rrezikun e humbjes së shikimit

Sipas një studimi të fundit nga një grup shkencëtaresh britanik, ndotja e ajrit rrit rrezikun për humbjen graduale të shikimit.

Studiuesit e lidhën ndotjen me një rritje të degjenerimit makular të lidhur me moshën (AMD), e cila është një gjendje mjekësore që mund të rezultojë në vizion të paqartë ose pa vizion në qendër të fushës vizuale.

Në studimin që ka përfshirë më shumë se 115.000 vullnetarë të moshës 40-69 vjeç, ekspertët kanë shqyrtuar nëse dioksidi i azotit dhe oksidet e azotit në ajër kishin lidhje me degjenerimin makular të lidhur me moshën (AMD) ose përkeqësimin e retinës, që shkaktojnë dëmtim të shikimit.

Në kuadër të hulumtimit, dëmtimi i retinës është matur me raportet vullnetare dhe tomografinë e koherencës optike të fushës spektrale të përdorur për të ekzaminuar syrin e njeriut.

Ekspertët kanë matur oksidet e azotit dhe dioksidet e azotit në grimca dhe kanë krahasuar ato me vlerat e ndotjes së ajrit në adresat e tyre të regjistruara në bazën e të dhënave kombëtare të secilit pjesëmarrës.

Si rezultat i studimit, është vënë re se pjesëmarrësit e ekspozuar ndaj sasive më të larta të grimcave të imëta ose sasive të vogla të grimcave kishin më shumë probleme me shikimin.

Shkencëtarët kanë vënë në dukje se pjesëmarrësit të cilët ishin të ekspozuar ndaj dozave të larta të një mesatareje prej 2,5 mikrometrash të grimcave kishin 8 për qind më shumë shanse të raportonin degjenerim makular të lidhur me moshën.

Studimi gjithashtu ka treguar se nivelet më të larta të grimcave lidhen edhe me shtresën e hollë të pigmentuar retinale.

Studimi vjen ndërsa ndotja e ajrit në të gjithë botën vazhdon të përkeqësohet, duke rritur temperaturat dhe duke kontribuar në ndryshimin e klimës. Në gjysmën e parë të vitit 2020, gati 50,000 vdekje u zbuluan se kishin të bënin me ndotjen e ajrit në Kinë, një nga vendet më të ndotura për sa i përket cilësisë së ajrit. Ndërkohë, faktorët mjedisorë, në të cilët ndotja e ajrit luan një rol të rëndësishëm, thuhet se shkakton 13% të të gjitha vdekjeve në Bashkimin Europian. Në dhjetor të 2020-ës, ndotja e ajrit u rendit zyrtarisht si shkaku i vdekjes së një 9-vjeçari në Mbretërinë e Bashkuar në një vendim të parë të këtij lloji.

Detajet e studimit janë botuar në revistën "British Journal of Ophthalmology"./Motilokal.com