Reshjet e mëdha të shiut që kanë rënë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha në shumë zona të Shkodrës.
Sipas Bashkisë së Shkodrës tashmë në disa fshatra rrezikohet edhe jeta e banorëve. Madje Bashkia e Shkodrës, mëngjesin e sotëm ka kërkuar nga qeveria që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në zonën Ana Malit, Dajçit dhe Shkodrës.
“Sot situata është përkeqësuar duke rrezikuar seriozisht shtëpitë dhe jetën e banorëve në Shirq të Dajçit, rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të shkarkimeve dhe prurjeve në zonën e NënShkodrës. Argjinatura mbrojtëse është çarë dhe uji vërshon me shpejtësi duke përmbytur shumë shpejt banesat, gjënë e gjallë, shkollën “Pjetër Gaci”, Qendrën Komunitare, Qendrën Shëndetësore. Kërkesa për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Anën e Malit, Dajç dhe në Shkodër duhet të shqyrtohet menjëherë. Mosmarrja e përgjegjësisë ligjore për trajtimin e emergjencës është e patolerueshne në rastin e rrezikut. Ky është detyrim përkundrejt njerëzve dhe pasurisë së tyre private e publike”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Shkodrës./Motilokal.com
