Shkencëtari turk paralajmëron për ritmin e ngrohjes globale

Shkencëtari turk paralajmëron për ritmin e ngrohjes globale

Me ritmin aktual të ngrohjes globale, temperaturat mund të rriten ndjeshëm deri në fund të shekullit, deklaroi një shkencëtar turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Doğanay Tolunay, inxhinier i pyjeve në Universitetin e Stambollit paralajmëroi se temperaturat mund të rriten deri në mbi 6 gradë Celsius deri në vitin 2100 për shkak të ngrohjes globale.

Sipas tij bota gradualisht ka filluar të ngrohet që nga viti 1850. Tolunay nënvizoi se rritja e temperaturave mesatare mori vrull nga viti 1980 e tutje duke shkaktuar temperatura ekstreme në vitin 2016, 2019 dhe 2020.

"Në të kaluarën, rritja e temperaturave mesatare ishte mjaft e ngadaltë. Ndryshimi i temperaturës për një gradë zgjaste qindra vite. Megjithatë, rritje të tilla filluan të ndodhnin në një periudhë shumë më të shkurtër", tha ai.

Shkencëtari turk theksoi se bota ka gjasa të jetë deri në 2 gradë Celsius më e ngrohtë deri në vitin 2050 dhe 6 gradë Celsius më e ngrohtë deri në fund të shekullit.

Më tej ai deklaroi se zvogëlimi i zonave bujqësore dhe pyjore për shkak të urbanizimit të shpejtë dhe konsumit gjithnjë në rritje të lëndëve djegëse fosile pas Revolucionit Industrial janë faktorët kryesorë që përshpejtuan ngrohjen globale./Motilokal.com