Njerëzit në Spanjën qendrore po luftojnë me motin e pazakontë, pasi ngrica të mëdha mbulan vendin pas borës së madhe në fundjavë.
Autoritetet spanjolle kanë paralajmëruar të moshuarit që të qëndrojnë në shtëpi.
Të paktën shtatë persona kanë vdekur për shkak të motit, dy viktimat e fundit ishin njerëz të pastrehë në Barcelonë.
Termometri regjistroi temperaturën deri në -25 oC në Molina de Aragón dhe Teruel, në malet në lindje të Madridit. Kjo është nata më e ftohtë në Spanjë për të paktën 20 vjet.
Bora e madhe, e shkaktuar nga stuhia Filomena është kthyer në akull, duke penguar transportin. Ka qenë një sasi e jashtëzakonshme bore dhe akulli për Spanjën, ku dimrat zakonisht janë mjaft të butë.
'Siberia Spanjolle'
Molina de Aragón, ku u regjistrua temperatura më e ftohtë brenda natës, është 197 kilometra në veri-lindje të Madridit dhe për shkak të temperaturave të pazakonta, spanjollët po e quajnë “Siberinë spanjolle”.
Burime mjekësore i thanë të përditshmes El Mundo se kishte 1200 raste frakturash të hënën në spitalet e rajonit të Madridit, të shkaktuara nga aksidente në akull.
Një ndërprerje e energjisë shkaktoi gjithashtu pezullimin e linjës hekurudhore me shpejtësi të lartë Madrid-Barcelona, por shërbimi ka rifilluar tani, raportojnë mediat spanjolle.
Shumë shërbime të trenave të udhëtarëve janë ndërprerë nga moti ekstrem.
Fluturimet u pezulluan në aeroportin Madrid-Barajas gjatë fundjavës, por ato gradualisht kanë rinisur, megjithëse me një numër të madh të prapambetjeve dhe vonesave.
E përditshmja spanjolle El País thotë se rreziku i paraqitur nga kushtet e akullta të rrugës ka nxitur atë që ajo e përshkroi si "një përpjekje titanike".
Moti i ftohtë parashikohet të vazhdojë edhe në ditët në vijim./Motilokal.com
