Një nga arsyet kryesore përse nga viti në vit zona e Bënjës së Përmetit po njeh një frekuentim të gjerë vizitorësh jo vetëm nga i gjithë vendi por edhe jashtë tij janë burimet ujore termale.
Vlerat e tyre kurative dhe shëruese të disa sëmundjeve çmohen si të jashtëzakonshme e madje shumë specialist i cilësojnë këto burime si më të mirat që gjenden në Evropë.
E shndërruar në një pikë të mirëfilltë e turizmit shëndetësor, zona e Bënjës së Përmetit pikun e frekuentimit të saj e ka gjatë sezonit të verës.
Imagjinoni që në ditët e dimrit kur temperaturat në Përmet bien, ti mund të hysh në vaskat e gurit të mbushur me ujë të nxehtë prej natyrës, dhe jo vetëm të kryesh terapinë falas, por mund të shijosh peizazhin e rrallë të Përmetit. Temperatura e këtyre ujërave është, 26 deri 32 °C.
Vizitorët e shumtë nuk kanë munguar as këto ditë dimri në këtë zonë, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë një fundjavë më ndryshe duke shijuar burimet e ujërave termale që janë natyralë dhe kanë veti terapeutike të ndryshme.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar disa fotografi të Bënjës së Përmetit ku ka shkruar: “Në Shqipëri mund të lahesh edhe në dimër. Madje, mund t'i festosh ditët e para të vitit të ri duke u zhytur në “Ujërat Termale të Bënjës”, Monument Natyre. Destinacion natyror gjithëvjetor në rrethin e Përmetit.”
Ujërat Termale të Bënjës janë një nga resurset natyrore më të çmueshme. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të rrallë./Motilokal.com
