Alpet Shqiptare të quajtura ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna (Mallkuara) për shkak të natyrës së ashpër dhe të vështirë, për të shumtë mbeten ende hapësira ku mitet dhe legjendat takohen së bashku me realitetin duke e patur të vështirë t’i shkëputësh njëra nga tjetra. Edhe pse shtrihen në 7 shtete, Alpet Dinarike arrijnë maksimumin e tyre vetëm përmes Alpeve Shqiptare, më konkretisht falë Majës së Jezercës në lartësinë e 2,694 metrave
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë.
Nuk ka si të mos tërheqin vëmendjen e vizitorëve format e shumta karstike, akullnajore, fluviale etj me një bukuri mistike ku natyra ka bërë kompromis me veten dhe me njeriun. Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin.
Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat kthjellëta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.
Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkelzenit, etj shërbejnë si pika triangulacioni, duke ofruar një panoramë të ndryshme e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre.
Kësaj oferte natyrore tepër të pasur e cila mund të shfrytëzohet për qëllime turistike i shtohet edhe larmia e florës dhe faunës.
Më poshtë ju sjellim disa imazhe magjepsëse të Alpeve Shqiptare nga fotografi Valmir Gashi të shkrepura nga Drenoci i Rahovecit./Motilokal.com





