Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka miratuar përdorimin emergjent për vaksinën Pfizer.
Vaksina e zhvilluar nga BioNTech i Gjermanise është e para që kalon këtë lloj testi. Ekspertët rregullatorë të thirrur ne OBSH nga e gjithë bota rishikuan të dhënat mbi sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë e vaksinës Pfizer / BioNTech si pjesë e një analize të rrezikut kundrejt përfitimit.
Vendimi mundëson që vendet të miratojnë shpejt importin dhe shpërndarjen e vaksinës. Për përdorimin e emergjencave, secili vend ndërmerr një proces politik për të vendosur nëse do të përdorë vaksinën.
“Ky është një hap mjaft pozitiv drejt sigurimit të qasjes globale tek vaksinat anti-COVID”, tha Dr. Mariângela Simão, zyrtare e lartë e OBSH-së për aksesin tek Barnat dhe Produktet e Shëndetit. “ Është e një rëndësie jetike që të garantojmë furnizimin me vaksina anembanë botës dhe të ndalojmë pandeminë”, shtoi ajo.
OBSH mblodhi ekspertë rregullatorë nga i gjithë globi, së bashku me ekipin e tij për të aprovuar vaksinën që tashmë është shpërndarë në disa vende të pasura, përfshirë Kanadanë.
“Verifikimet treguan se vaksina plotësonte kriteret e domosdoshme për sigurinë dhe efikasitetin e përcaktuar nga OBSH, dhe se përfitimet nga përdorimi i saj, i kompensojnë rreziqet e mundshme”, thuhet në një deklaratë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Aty sqarohet se OBSH-ja do t`i mbështesë gjithashtu vendet edhe për sa i takon kushteve të ruajtjes së vaksinës, pasi transporti i asaj të krijuar nga Pfizeri mund të përbëjë një sfidë me vete dhe pajisje të posaçme ftohjeje sepse duhet ruajtur në minus 70 gradë Celsius.
Si pjesë e procesit kompania që prodhon vaksinën duhet të angazhohet që të vazhdojë të gjenerojë të dhëna për të mundësuar licencimin e plotë dhe parakualifikimin e vaksinës nga OBSH./Motilokal.com
