Studimi: Veturat elektrike mund të jenë më të lira se ato me karburant viteve të ardhshme

Studimi: Veturat elektrike mund të jenë më të lira se ato me karburant viteve të ardhshme

Sipas një raporti të fundit veturat elektrike pritet të kushtojnë më lirë se ato me karburant në dy ose tre vitet e ardhshme.

Grupi hulumtues i energjisë BloombergNEF, thotë se çmimi i veturave elektrike do të ulet vit pas viti, dhe deri në vitin 2023 ato do të kushtojnë mesatarisht 101 dollarë për çdo kw/orë fuqi.

Kjo do të thotë se edhe çmimi i tyre i përgjithshëm do të bjerë, pasi pjesa e tyre më e kushtueshme është vetë bateria.

Në raport thuhet se kompleti i baterisë litium-ion kushtonte të paktën 1,100 dollarë për kilovat/orë në vitin 2010. Por tashmë çmimi i tyre ka rënë me rreth 89% pasi aktualisht ato kushtojnë 137 dollarë për kW/orë, sipas të dhënave të sivjetshme.

Hulumtuesit kanë parashikuar se në vitin 2023 çmimi mesatar i kompletit të baterisë do të jetë 101 dollarë për kw/orë duke argumentuar se “rreth kësaj pike të çmimit prodhuesit do të jenë në gjendje të shesin masivisht mjetet e tyre elektrike, siç ndodh aktualisht me automjetet me djegie të brendshme.”

Ata thonë se rënia e çmimeve vjen prej “rritjes së shitjeve dhe porosive, si dhe prej dizajnit të modernizuar të baterive”.

Teknologjitë e reja po ulin kostot e prodhimit dhe së shpejti pritet prodhimi i baterive me lëndë solide, përkundër atyre të lëngshme.

Më tej në raport thuhet se nëse prodhohen në nivel industrial bateritë me lëndë solide, ato mund të kushtojnë 60 për qind më lirë se ato litium-ion.

Deri në vitin 2030 raporti thotë se bateritë do të prodhohen me një çmim mesatar prej 58 dollarë për kW/orë.

“Është një arritje historike të shohësh rënie të tillë të çmimeve. Analizat tona tregojnë se edhe me rritje të pritura të çmimit te lëndëve bazë, kjo do të ndikonte shumë pak në uljen e çmimeve. Prodhuesit kryesorë të baterive po ngrihen gjithnjë e më shumë në zinxhirin e vlerave, duke investuar në teknologjinë e prodhimit të katodave dhe në minierat”, tha James Frith, drejtuese e agjencisë energjetike BloombergNEF./Motilokal.com