Moti i ligë me era të forta që ka përfshirë tërë territorin e Shqipërisë ka shkaktuar probleme të shumta në vend.
Autoritetet portuale të Durrësit dhe ato të Vlorës prej dy ditësh nuk po lejojnë nisjen e trageteve drejt Italisë dhe anasjelltas.
Po ashtu edhe peshkarexhat dhe mjetet e tjera të lundrimit nuk janë lejuar që të dalin në det për shkak të dallgëve të mëdha.
Sipas autoriteteve, lundrimet e trageteve drejt Italisë pritet të fillojnë mbrëmjen e kësaj të mërkure pasi pritet të ketë një përmirësim të kushteve atmosferike.
Ndërkohë si rrjedhojë e erës së fortë në qytetin e Durrësit janë shkaktuar dëme të shumta përgjatë shëtitores Taulantia.
Dëmtime nga kushtet e këqija atmosferike ka pasur dhe në qarkun e Shkodrës. Si pasojë e reshjeve të shiut rruga qafa e Thorës është bërë e pakalueshme ndërsa vazhdon rritja e nivelit të lumenjve në zonat e ulëta. Ndërkohë në njësinë administrative të Dajçit nuk ka pasur furnizim me energji elektrike si rrjedhojë e erës së fortë./Motilokal.com
