Ujësjellësi ‘Prishtina’: Furnizimi me ujë të pijshëm po vazhdon edhe përkundër rënies së nivelit në Batllavë dhe Badovc

Ujësjellësi ‘Prishtina’: Furnizimi me ujë të pijshëm po vazhdon edhe përkundër rënies së nivelit në Batllavë dhe Badovc

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, përmes një komunikate për media ka njoftuar se po vazhdon furnizimi stabil me ujë të pijshëm pavarësisht rënies së nivelit me ujë në liqenet akumuluese.

“Pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava ( prej - 6.17 m nën nivelin e kapërderdhjes) dhe Badoci (- 11.35 m),  KRU " Prishtina " sh.a. po vazhdon me furnizim stabil me ujë të pijshëm në tërë zonën e shërbimit”, thuhet në njoftim.

Sipas Ujësjellësit “Prishtina”, ndërprerjet e furnizimit me ujë në disa zona, kohën e fundit ndodhën si shkak i dëmtimit të rrjetit të ujit dhe normalisht që deri në sanimin e defekteve, detyrohemi të ndërpremë edhe furnizimin me ujë të pijshëm.

“Me të gjitha kapacitetet teknike operative, do të mundohemi të ruajmë këtë tempo të furnizimit edhe gjatë festave të fundvitit 2020. Neve si konsumatorë na mbetet të shpenzojmë racionalisht ujin e pijshëm , të paguajmë faturat e ujit dhe të mirëkuptojmë ndërprerjet e ujit kur ndodhin si shkak i dëmtimeve në rrjet”, thuhet në komunikatë./Motilokal.com