Norvegji, ambientalistët humbin betejën historike kundër kërkimit të naftës në Arktik

Norvegji, ambientalistët humbin betejën historike kundër kërkimit të naftës në Arktik

Gjykata e Lartë e Norvegjisë u ka dhënë një goditje të rëndë grupeve mjedisore që përpiqen të ndalojnë kërkimin e naftës në Arktik, pas një beteje historike mbi angazhimet e vendit për ndryshimin e klimës.

Me një votim 11 me 4, gjykata e lartë hodhi poshtë argumentin e dy organizatave - Greenpeace dhe Young Friends of the Earth Norway - të cilat thanë se dhënia e 10 licencave të kërkimit të naftës në Detin Barents në vitin 2016 ishte antikushtetuese.

Duke iu referuar Marrëveshjes së Parisit, e cila synon të kufizojë ngrohjen globale në më pak se 2 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, organizatat argumentuan se licencat e naftës shkelnin nenin 112 të kushtetutës së Norvegjisë, duke u garantuar të gjithëve të drejtën për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.

Pretendimet e tyre tashmë janë refuzuar në dy instanca dhe shpresat në fund u shuan nga Gjykata e Lartë, e cila dha vendimin me video konferencë.

Shumica e gjykatësve u pajtuan me aktivistët që neni 112 mund të thirret nëse shteti nuk përmbush detyrimet e tij klimatike dhe mjedisore - por ata nuk menduan se ishte i zbatueshëm në këtë rast.

Gjykata gjithashtu vendosi që dhënia e lejeve të naftës nuk ishte në kundërshtim me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pjesërisht sepse ato nuk përfaqësonin "një rrezik real dhe të menjëhershëm" për jetën dhe integritetin fizik.

"Ne jemi të zemëruar me këtë gjykim, i cili lë të rinjtë dhe brezat e ardhshëm pa mbrojtje kushtetuese", tha në një deklaratë Therese Hugstmyr Woie, aktiviste mjedisore në Norvegji.

Para vendimit të Gjykatës së Lartë, Greenpeace kishte hedhur idenë për ta çuar çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Grupi e ka përshkruar rastin si një akt "historik", që mund të ndikojë në politikën e ardhshme të naftës të Norvegjisë, prodhuesi më i madh i hidrokarbureve në Europën Perëndimore.

Kjo çështje ndjek gjithashtu një trend global që e sheh ndryshimin e klimës gjithnjë e më shumë duke u shfaqur në çështjet gjyqësore.

Në vitin 2019, Holanda u urdhërua të zvogëlojë emetimet e tij të gazeve serë me të paktën 25% deri para vitit 2020./Motilokal.com