Jo më kot është mrekullia e Alpeve Shqiptare, me një bukuri të papërsëritshme, me peizazhe mbresëlënëse, Valbona në stinën e dimrit shpalos bukurinë në një aspekt tjetër me borën që mbulon gjithçka.
Të vetmet që e sfidojnë stinën janë majat e pishave. Vitet e fundit grupe të shumtë alpinistësh sfidojnë temperaturat e ulëta dhe marrin guximin të ngjisin majat e Valbonës.
Disa pamje mahnitëse janë fotografuar në luginën e Valbonës këto ditë dhjetori, nga studiuesi i apasionuar Abdulla Diku, i cili ka shkruar: "E veshur me mantel mjegulle dhe kapuç bore".
Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ka një sipërfaqe prej 8000 ha dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Ndodhet 25–30 km në veri-perëndim të qytetit të Bajram Currit. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura.
Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.
Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Klima e luginës është mjaft e freskët dhe i nxehtë i verës nuk ekziston fare. Fshati Valbonë është gati 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një zallishte të krijuar prej lumit Valbona.
Aktualisht fshati Valbonë ka afro 30 shtëpi, kryesisht kulla të vjetra dy dhe trekatëshe me mure të trashë guri e çati karakteristike alpine me dërrasa druri. Në kullat karakteristike të tërheqin vëmendjen dritaret shumë të vogla dhe frëngjitë e ndërtuara në çdo drejtim për tu mbrojtur.
Në qendër të fshatit ndodhet një lokal që shërben në natyrë kryesisht, mish të pjekur në hell dhe meze e bylmet të zonës.
Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Nëpërmjet bllokut të lartë malor të Jezercës në veri, Zhaborreve dhe Grykave të Hapta në Jug, formohet një govatë tipike akullnajore.
Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës e Rrethit të Bardhë shikon borë të përhershme dhe ngjitja në to, do të ishte një sfidë për çdo alpinist profesionist. Ujëvara e Rragamit që ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, sipër Valbonës, është një tjetër mrekulli e natyrës alpine që nuk duhet lënë pa vizituar.
Valbona gjatë 4-5 muajve të dimrit është krejtësisht e izoluar nga bora kështu që në këtë kohë është e pamundur të vizitohet./Motilokal.com
